E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata vendos: Aldo Bare si shpëton burgut përjetë

11/03/2010 Dështon tentativa e tretë e kapos së Lushnjës, do të gjykohet në themel. Avokati irritohet

TIRANË- Për të tretën herë ka dështuar tentativa e avokatit të Aldo Bares për të “fituar” mbi drejtësinë. Gjyqtarja Fatmira Hajdari i ktheu përgjigje negative kërkesës së avokatit Vladimir Meçi, e cila kishte të bënte me procedimin me gjykim të shkurtuar, ç’ka do të shpëtonte bosin e Bandës së Lushnjës nga burgu përjetë. Pasi mori përgjigjen e akuzës që nuk ishte dakord me këtë kërkesë, trupi gjykues e shqyrtoi dosjen në tërësi dhe nuk i dha mundësinë kapos së Lushnjës të “rehatohej” duke i shpëtuar gjykimit në themel dhe përfundimisht burgimit të përjetshëm.

Vendimi i gjyqtares

Sipas vendimit të lexuar nga kryesuesja e seancës, Fatmira Hajdari, Aldo Bare, i quajtur ndryshe, Alfred Shkurti, duhet t’i nënshtrohet gjykimit në themel. Vetëm në këto kushte tha gjyqtarja, çështja do të zbardhet dhe të dhënat e Prokurorisë do të vërtetohen. “Ne nuk mund të pranojmë në këtë rast gjykimin e shkurtuar. Në këtë mënyrë i mbyllim rrugën paragjykimit të çështjes”, tha Fatmira Hajdari. Por i menjëhershëm ishte reagimi i avokatit Vladimir Meçi. I irrituar nga përgjigja negative, ai i tha gjykatës se ka paragjykuar kërkesën e tij që në fillim, madje procesin në tërësi.

Pretendimi i avokatit

Pas kësaj avokati kërkoi përjashtimin e kryesueses së seancës. Sipas tij, çështja nuk është trajtuar njësoj si gjithë të tjerat, madje edhe më keq. Kërkesa e bërë për përjashtim të kryesueses së seancës i dha fund edhe gjyqit për ditën e djeshme. Ndërkohë që vet i pandehuri nuk ishte i pranishëm në kafazin e hekurt. Ai i ka dhënë të gjitha të drejtat avokatit Vladimir Meçi për ta përfaqësuar. Aldo Bare pasi nuk arriti të nxirrte të pavlefshme aktet e akuzës dhe nuk ndryshoi masën e sigurimit, bëri hapin e fundit atë për gjykim të shkurtuar, me qëllim largimit nga pragu i burgimit të përjetshëm. Deri tani nga anëtarët e Bandës së Lushnjës, i vetmi që ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar është Enver Dondollaku. Por vendimi i dhënë nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda për krahun e djathta të Bares, nuk e kaloi dot Apelin, i cili e ka rikthyer edhe një herë për gjykim. Bare akuzohet për disa krime të rënda të kryera në Lushnjë. Ai njihet si “babai” i ushtarëve të “vegjël”, të cilët merrnin urdhra për të ekzekutuar apo grabitur persona të ndryshëm.

Tre kërkesat e Bares dhe dështimi në gjykatë

Vladimir Meçi, avokati i Aldo Bares dhe i një pjese të madhe të grupit që ai ka drejtuar, nuk ka fituar asnjëherë me kërkesat e tij për ta mbrojtur. Më 25 nëntor 2009, Bare zbret në Rinas dhe menjëherë i kërkon gjykatës ndryshimin e masës së arrestit. Pasi dështoi me këtë kërkesë, u mundua të nxjerrë të pavlefshme të gjitha aktet e hetimit dhe të quaj të parashkruara dy vepra penale. Vendimi përsëri ishte kundër këtyre kërkesave dhe i argumentuar. Humbja në dy “betejat” e para detyrimisht e çon në “gurin” e fundit për të luajtur. Kërkesa për gjykim të shkurtuar me qëllim largimin nga burgimi i përjetshëm doli i humbur edhe këtë radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›