Publikohen “fotot censurë të Berluskonit”, spanjollët në gjyq
Fotot e censuruara nga Kryeministri italian, të realizuara në majin e vitit 2008 në “haremin” e Berluskonit, vilën Certosa, janë publikuar në gazetën spanjolle “El Pais”. Fotot u botuan në mënyrë ekskluzive në numrin e djeshëm të gazetës, edhe pse ishin foto të sekuestruara nga Prokuroria, gjë që ka çuar gazetën në gjyq. Berluskoni nuk vonon në reagimin e tij kundërsulmues: “Nuk kam fare frikë, bëhet fjalë për foto të pafajshme, nuk ka asnjë skandal, përkundrazi ata kanë shkelur privatësinë dhe ky është një agresion skandaloz. Fotot paraqesin persona që lahen në një Jacuzzi (xhakuzi) në brendësi të një shtëpie private të rezervuar për miqtë”, tha Berluskoni, duke shtuar i revoltuar se “Unë kisha ftuar miq nga republika Çeke dhe nuk është e mundur që një person nga një kilometër distancë të ndërhyjë në këtë situatë dhe të marrë foto brenda një banese. E drejta e privatësisë është nën tutelë, mbi të gjitha në prani të miqve në emër”. Kryeministri italian nuk ka harruar të përmendë se “nëse ka një qeveri që është pranë katolizmit, është kjo, për më tepër që është eksponent i Vatikanit”. Avokati i Berluskonit, Niccolo Ghedini, tha se ka denoncuar gazetën spanjolle pasi “Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për shkelje privatësie por për publikim të fotove të sekuestruara pasi janë kryer në mënyrë të paligjshme”. Fytyrat e protagonistëve në foto janë mbuluar nga autori, përveç portretit të Kryeministrit. Nën titullin “Fotot e ndaluara nga Berluskoni”, gazeta ka publikuar kryeministrin në shoqërinë e disa femrave, më pas dy vajza në topless që marrin rreze dhe foto të të ftuarve në vilë në momente relaksi. “El Pais” shkruan se Antonello Zappadu, 51 vjeç (realizuesi i fotove), që nga 2007-2009 ka fotografuar Vilën Certosa, është bërë tashmë autori kryesor i diskutimeve të lindura nga deklarata e Veronika Larios, që trazuan jetën politike në Itali.
Tradita
Duket se festa të tilla ishin kthyer në traditë për Berluskonin. Në artikullin që shoqëronte fotot e censuruara shkruhej se reporteri që ka përgatitur fotot thotë se “çdo fundjavë fluturime shtetërore nën drejtimin e Aeronautikës Italiane kanë mbërritur në Sardenja me artistë, velina dhe miq të tjerë të Berluskonit.
Ligji
Më gusht 2008 Kryeministri italian ka ndryshuar ligjin për t’u lejuar të ftuarve të tij privatë të përdorin fluturimet e shtetit. Fotot tregojnë se katër muaj para se të ndryshonte ligji, Berluskoni kishte udhëtuar me mikun e tij Mario Apicella, dhe një balerinë flamengoje.