E Diel, 1 Nëntor 2026

Vespa: Si më ndaluan të vija në Shqipëri 30 vjet më parë

 

Blendi Fevziu

Nuk e dinte se ishte aq i famshëm në Shqipëri. Njerëzit që e takonin i shtrëngonin dorën dhe dëshironin të bënin fotografi me të. Dashamirësia e njerëzve, natyra e bukur, por edhe ndryshimet e mëdha në një vend ish-komunist, të izoluar për 50 vjet me radhë, i bënë shumë përshtypje gazetarit italian, Bruno Vespa. Disa ditë më parë, ai zhvilloi një vizitë në Shqipëri, ku takoi krerët e shtetit shqiptar. Ai ishte i ftuar në studion e “Opinion”, në TV Klan, ku tregoi për veten, por edhe si e shikonte Shqipërinë, apo ç’kishte dëgjuar për vendin ish-komunist. Vespa tregon gjithashtu dhe përpjekjet e dështuara për të ardhur në Shqipëri, rreth 30 vjet më parë.
Shpresoj që Shqipëria që gjetët të jetë ajo që ne mendojmë, jo ajo që shfaqet në mediat e huaja...
Gjykimet që jepen mbi gjërat që nuk njihen, shpesh janë të pasakta. Unë gjeta një demokraci shumë të fortë, më duket shumë korrekte, një motivim të madh për zgjedhjet e ardhshme.
Edhe plot pasion.
Po, shumë e fortë, shumë... Megjithatë duhet të them me stil. Takova Kryeministrin, kreun e opozitës. Nesër do të takoj Presidentin e Republikës, Kryetaren e Kuvendit. Pra, një kuadër i plotë. Mu dukën persona të kategorisë së parë, me një vizion ndërkombëtar shumë konkret, shumë të përditësuar, por mbi të gjitha me perspektiva zhvillimi për Shqipërinë, të them të drejtën, të pabesueshme. Ky është vend që në vitin e tmerrshëm 2009, ku të gjithë vendet janë me shenjën minus, ju keni mundësinë e një +4% të prodhimit të brendshëm bruto.
Thonë gjithmonë se vendet që nuk janë të integruar mirë, kjo që është gjëja më e keqe e ekonomisë së tyre, është edhe më e mira në çastet e krizës.
Po. Këtu demokracia ka pak vite që ka ardhur, pra zhvillimi ekonomik është shumë i madh. Ju duhet të rifitoni gjithë kohën e humbur gjatë viteve të diktaturës.
Gjysmë shekulli.
Po, gjysmë shekulli. Por ju gjatë 17 vjetëve, sidomos në dhjetë vitet e fundit, keni rifituar shumë.
Ky përmirësim që shihet në Shqipëri, ndihet edhe jashtë saj?
Ne jemi partneri numër një i Shqipërisë. Para se të vija këtu bisedova me Ministrin e Jashtëm, ai më bëri një përshkrim vërtet entuziast të Shqipërisë. Kam lexuar dhe raportet mbi Shqipërinë dhe kemi raporte vërtet fantastike.
Thonë gjithmonë se imazhi i shqiptarëve në Itali, por dhe në vende të tjera, është imazhi i “Boat people”, imazhi i njerëzve që iknin nga vendi me anije...
Jo, jo...Unë në atë kohë, në vitin ‘91, kam adoptuar si të thuash një djalë që erdhi me varkë. Ishin tre djem, dy prej të cilëve i ndihmoi Andreoti dhe njërin unë për shumë vite. Do të thosha jo, atë gjë e kemi harruar tashmë. Ka qenë një periudhë, por tashmë e largët, por që edhe ajo është harruar, kur disa shqiptarë të cilët nuk ndiheshin mirë në Itali bënin gjëra që s’duheshin bërë... Por, absolutisht jo. Tashmë kjo gjë i përket së shkuarës. Sot Shqipëria është një partner i jashtëzakonshëm. Duhet të them se fjalët e Kryeministrit ishin shumë mbresëlënëse, kur më tha se brenda katër vitesh keni asfaltuar 5600 km rrugë.
Thatë se keni dashur ta vizitoni Shqipërinë para 30 vjetësh. Si ndodhi?
Rreth 30 vjet më parë, s’më kujtohet mirë nëse e bëmë ne kërkesën apo kërkesa erdhi nga qeveria shqiptare, por ishte vendosur që unë të isha gazetari i parë perëndimor, që do të hynte në Shqipëri gjatë regjimit të Enver Hoxhës.
Asnjë kamera e huaj s’kishte kaluar kufijtë?
Kurrë. Kurrë. Kurrë. Zgjati dy vjet. Kolegët e mi talleshin me mua dhe thoshin: “S’do t’ia dalësh kurrë”. Unë thosha: “Më kanë dhënë fjalën, pse jo?”
Kush jua kishte dhënë fjalën?
Ambasadori.
Ambasadori shqiptar në Romë?
Po. Ambasadori shqiptar në Romë. Piva shumë, shumë konjak shqiptar gjatë bisedave me të. Sot provova një konjak dhe vura re se edhe konjaku është përmirësuar shumë, përveç përmirësimit të demokracisë dhe mbarë vendit. Në fund nuk erdha, edhe pse mund të isha nën vëzhgim unë dhe kamera ime. Ju e imagjinoni vetë dhe e dini më mirë se unë si. S’mund të bëja asgjë që të mos ishte super e kontrolluar. Në fund vendosën t’ia besonin Nikola Karaçolos dhe një shoqërie produksioni italo-kinezo-shqiptare, e cila quhej “Albaçina” produksionin e këtij dokumentari që u transmetua në 1979. Që nga ai çast unë i hoqa vizën. Thashë: “Mirë, meqë s’më deshën, nuk do të shkoj më”.
Bëtë edhe një shëtitje me helikopter. Ç’përshtypje keni për natyrën?
E bukur. E bukur, sepse keni gjithçka. Keni male të bukura, ku nuk ka ende impiante për ski, por kur të filloni... Këto male, veç të tjerash zbresin në det me shumë lehtësi. Keni kodra të kultivuara mirë dhe brigje të mrekullueshëm. Bëra një shëtitje përgjatë bregdetit. Shkuam deri në kufi me Greqinë, pastaj në Vlorë... Janë vërtet të bukura. Shumë të bukura, të shkretuara... Mos i prishni! Sepse po të bëhen shumë ndërtime, qoftë nga makutëria, nga nxitimi, mund të shkatërroni një pasuri fantastike. Nëse do të ndërtoni pak dhe mirë, ky mund të ishte një nga vendet më të bukura të Mesdheut.
Duke ju shoqëruar sot, pashë rrugëve sikurse dhe nëpër korridoret e studiove, që të gjithë donin të dilnin në fotografi me ju, t’ju takonin. E dinit që ishit kaq i famshëm në Shqipëri?
Jo. Në vitet ’80, ’90, kur u bënë eksodet e para, kuptova se televizioni italian këtu ndiqej shumë. Sot më lanë shumë mbresa dhe më emocionuan shumë fjalët e Kryetares së Kuvendit, kur më tha se ne, televizioni ynë, ku dhe unë sadopak me ndonjë emision, ka të ngjarë që i jepnim Shqipërisë shpresën për një ndryshim. Kjo më preku shumë, sepse e di çfarë keni ndier.
Si i shikoni ju si historian apo edhe si gazetar, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë?
Duhet të them diçka. Mua nuk më pëlqen kolonizimi, sepse nëse një vend shkon te një vend tjetër pa trokitur te dera, s’vepron mirë. Duhet të them se, duke parë disa vepra publike që pashë sot, fashizmi ka lënë gjurmë të rëndësishme këtu. Gjithashtu, mësova se pas 8 shtatorit, sipas burimeve të ndryshme këtu mbetën 200, 170 mijë, ushtarë italianë të braktisur plotësisht. Shumë pak u bënë aleatë me nazistë etj., por pjesa më e madhe u mbrojt nga populli shqiptar. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Përderisa u mbrojt nga populli, duket që nuk është sjellë shumë keq. Madje, mendoj se ne italianët duhet t’u jemi shumë mirënjohës shqiptarëve që rrezikuan jetën për të mbrojtur ushtarët italianë. Sepse nazistët nuk bënin shaka. Nëse do t’i kishin gjetur ushtarët italianë të fshehur nëpër shtëpitë e fshatarëve apo malësorëve shqiptarë do t’i kishin vrarë. Do të kishin vrarë dhe shqiptarët që i mbronin.
Si historian, por edhe si gazetar, pse Italia e harroi Shqipërinë komuniste për 50 vjet?
Shiko, Shqipëria... Politika ndërkombëtare është shumë cinike. Është e tmerrshme, nuk ka zemër.
Sidomos për vendet e vogla...
Sidomos për vendet e vogla. Shqipëria ishte zhdukur nga harta gjeografike, sepse kishte regjimin më të mbyllur do të thosha. Mirë apo keq, në vendet e tjera edhe pse me shumë vështirësi dikush hynte, ndërsa këtu jo. Pra ishte krejt e mbyllur. Me pak fjalë u leverdiste të gjithëve të thoshin...
Nuk krijonte probleme. Ndryshe nga Gedafi nuk hidhte në erë avionë ...
Jo, nuk ndodhte asgjë. Ishte një problem...
Për popullin e tij.
E saktë. Meqenëse siç e thashë, politika ndërkombëtare është shumë cinike, nëse ekziston një popull që vuan më keq për të. Kjo është diçka shumë e dhimbshme, por... Mbyllja e regjimit shqiptar ishte vërtet e tmerrshme. Për më shumë se dy vjet u përpoqa... Unë s’do të kisha ardhur këtu si revolucionar, sepse s’do të isha në gjendje ta bëja. Do të vija për të treguar çfarë ishte Shqipëria. Për këtë kishin frikë. Sepse mjaftonte të shikoje, për të kuptuar. Mjaftonte të shikoje, s’do të hynin në punë fjalët, mjaftonin pamjet. Do të kishin parë që në zemër të Evropës, dy orë larg me varkë nga Italia, ishte një vend që komunizmi e kishte kthyer me shekuj të tërë larg. Kjo s’u pëlqente, prandaj nuk erdha.

Gazetar prej 47 vitesh

Prej 47 vitesh, Bruno Vespa është një gazetar profesionist. Ishte fare i ri, kur nisi të bënte kronikat e para dhe si pa kuptuar kaluan 47 vite. Ka punuar më së shumti në ekranin shtetëror RAI, të cilin nuk ka dashur ta ndërrojë me asnjë tjetër. “Kam bërë gjithçka. E kam nisur nga zeroja. Isha një djalë redaksie. Shkoja në nastrotekë, ku ruhen efektet audio, dhe vija zhurmën e tankeve sovjetike në kronikat e Demetrio Volçiç. Sepse vinin pa zë dhe unë shkoja dhe isha specialist për të dalluar zhurmën e tankeve sovjetikë nga ata amerikanë, kur montoja kronikat nga Vietnam. Pra fillova pikërisht nga zeroja dhe jam krenar sepse gjithçka më ka hyrë në punë. Edhe sot e kësaj dite, kur dikush më thotë se kjo është gjë që s’bëhet, unë i them: “Çfarë? Unë këtë e kam bërë para 30 vjetësh, pse s’mund të bëhet sot”, - rrëfehet Vespa.

14 vjet
kanë kaluar nga koha kur Bruno Vespa, nisi të drejtonte emisionin e suksesshëm “Porta a Porta”. “Pasi lashë lajmet, doja të bëja një emision. Asnjë s’besonte se mund të bëhej politikë në Raiuno, sepse është një kanal i qetë, pra duhet të jesh shumë i ekuilibruar, shumë... Dhe kur njeriu është shumë korrekt, nuk ka audiencë”, - tha në “Opinion”, Vespa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›