E Shtunë, 31 Tetor 2026

Egjipti në zi

Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi, shpalli tri ditë zie kombëtare pas sulmit që i kushtoi jetën më parë 16 rojave kufitare në kufirin me Izraelin, njoftoi media publike.

"Presidenca e Republikës njoftoi tri ditë zie pas sulmit terrorist'', njoftoi televizioni publik.

Morsi vendosi gjithashtu të nderojë martirët dhe të plagosurit në ngjarjen e Sinait në të njëjtën mënyrë si martirët dhe të plagosurit e revolucionit të 25 janarit, që rrëzuan paraardhësin e tij, Hosni Moubarak vitin e kaluar, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve ''Mena''.

Një grup personash të armatosur ka sulmuar postin kufitar egjiptian në Sinai dhe ka vrarë 16 persona. Ata kanë marrë menjëherë kontrollin e dy makinave të blinduara, që janë drejtuar drejt postës kufitare të Kerem Shalom.

"Një shpërthim ka ndodhur në njërën prej makinave para se të arrinte në territorin izraelit, ndërkohë që e dyta u sulmua nga ushtria ajrore izraelite. Nuk ka pasur viktima nga krahu izraelit'', theksoi zëdhënësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›