E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekand Qerimaj, tri medalje ari

Autori i Lajmit: red.
Peshëngritësi shqiptar Erkand Qerimaj fitoi tri medalje të arta gjatë garave të Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për të Rinj dhe të Reja që po zhvillohet në qytetin e Durrësit. Peshëngritësi shkodran garoi në peshën deri 77 kg, së bashku me 18 sportistë të tjerë nga vende të ndryshme të Evropës, duke u shpallur kampion i kontinentit në dygarësh, me 336 kg gjithsej. Ai la pas peshëngritësin Andrei Molçanov nga Rusia me 332 kg dhe Aghasian Agasi nga Armenia me 327 kg. Erkand Qerimaj është gjithashtu fitues i medaljes së artë në stilin e shkëputjes me 151 kg, ndërsa medaljen e argjendtë dhe të bronztë i fituan përkatësisht Kazmir Fitsner nga Bjellorusia me 151 kg dhe Andrei Molçanov nga Rusia me 150 kg. Në stilin e shtytjes Qerimaj u shpall fitues i vendit të parë, pasi ngriti në provën e dytë 185 kg, ndërsa nuk arriti të ngrejë mbi shpatulla shtangën me peshën prej 190 kg. Në vendin e dytë dhe të tretë, në stilin e shtytjes u renditën Andrei Molçanov, me 182 kg dhe Semih Gaçi nga Turqia me të njëjtën peshë.
Dhjetëra sportdashës nga Shkodra iu bashkuan entuziazmit të sportdashësve durrsakë në shkallët e Pallatit të Sportit "Ramazan Njala" të Durrësit gjatë garës dhe ceremonisë përmbyllëse të garës deri në 77 kg për meshkuj. Presidenti i Federatës Evropiane të Peshëngritjes, Antonio Urso, presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, dhe ish-shtangisti kampion, Asim Belinova, u kanë dorëzuar medaljet fituesve të këtij evenimenti.
Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›