E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet kriza në QSUT, shtyhet furnizimi me ilaçe

Autori i Lajmit: red.
Rrezikojnë të digjen fondet për blerjen e medikamenteve për shkak të moskryerjes së procedurave të prokurimeve që në periudhën mars – prill 2008. Bëhet fjalë për 8 procedura tenderimi për blerjen e medikamenteve, preparateve citostatike, aparatura të kardiologjisë e ndërhyrje të urgjencës. “Po bëjmë një pjesë të prokurimeve që duhet të ishin kryer që në muajin mars. Kemi frikë se mos nuk do të arrijmë të realizojmë dot deri në fund të tetorit”,- u shpreh drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli. Problem vazhdon të mbetet fryrja e administratës ku, sipas Kulit, janë punësuar njerëz jashtë strukturës, një pjesë e të cilëve janë shkarkuar. Ndërkohë në QSUT pritet të mbërrijë auditi, i cili ishte kërkuar të niste që të hënën e kaluar. Por burimet thonë se ky audit do të mbërrijë nga Kryeministria përveç Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe atij të Ministrisë. Sipas drejtoreshës së QSUT-së, deri në fund të tetorit duhet të mbyllen të gjitha procedurat e prokurimeve në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Këto prokurime kanë të bëjnë me blerjen e medikamenteve, aparaturave për urgjencat etj. Sipas drejtoreshes se QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, të gjitha këto proceduara duhet të mbylleshin gjatë muajve mars–prill, ndërkohë që ajo thotë se brenda tetorit është afati i fundit, për të shfrytëzuar të gjitha fondet e dhëna. "Kemi frikë se mos nuk do të mund t i realizojmë dot deri në fund të tetorit, sepse periudha është shumë e shkurtër. Bëhet fjalë për medikamente, preparate citostatikë, bëhet fjalë për aparatura të kardiologjisë, domethënë për intervenime të emergjencës, të cilat duhet të ishin realizuar", - shprehet Gjeorgjina Kuli, drejtoreshë në QSUT. Po sipas Kulit, ende nuk ka filluar auditimi në këtë qendër. Ndërkohë që problemet janë të shumta për sa i përket strukturës tej mase të fryrë, në QSUT kanë filluar shkurtimet gjatë muajit shtator, kryesisht personel administrate dhe të gjitha emërimet që janë bërë gjatë muajit gusht. "Ne nuk mund të bëjmë një ndërprerje të marrëdhënieve të punës të 140 vetave menjëherë. Ne për muajin shtator kemi bërë të gjitha shkurtimet në administratë",- vijoi ajo. Këto deklarata të drejtueses së QSUT u bënë pas një takimi që ajo pati me një grup mjekësh gjermanë, të cilët ofruan ndihmën e tyre në urgjenca.

Ky lajm është publikuar: 20/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›