E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pamja, Të ndryshosh karakter çdo një orë

02/05/2005  Si mund të dukesh gjithnjë ndryshe duke ndërruar modelet e flokëve dhe tualetin

Tendenca e verës, funde indane me flokë të kuqe të valëzuara. Ikin nga moda ngjyrat e ftohta dhe flokët e shtrira. Abuzime “shqiptare” me termin bojra bimore

“Para ca vitesh vinte një gjyqtare. Ajo e ndërronte modelin e flokëve një herë në dy ditë. Sa herë që vinte unë e pyesja se ç’farë çështje kishte atë ditë. Kur kishte çështje penale, çështje të forta, i jepja një model flokësh dhe fytyre që të dukej stoike, e fortë, kur kishte çështje civile, ndonjë divorc, një model më trendi. Dhe ajo ishte shumë e kënaqur”, tregon Odeta Haxhi, parukiere, estetiste e L’Orealit. Aty i krehin flokët dhe kujdesen për to shumë figura të njohura, që për arsye etike, emrat e tyre ajo nuk do që t’i bëjë të ditur. Janë emra të njohur në art, në fushën e biznesit, në hierarkinë shoqërore, nga modelet deri te gratë “e karrierës”.

Si mund të ndryshosh, çdo një orë

Megjithatë, gjithë synimi, dëshira dhe pasioni i saj derdhet në atë që quhet karaktere të ndryshme për të njëjtën fytyrë. Pra, që me anë të tualetit, krehjes, t’i japësh pamje krejt të ndryshme, një fytyre. Dhë vërtet në fotot që ajo tregon habitesh se si një vajzë, e lezetshme, por brenda normalitetit, ka herë fytyrën e Merlin Monrosë, herë të një aristokrateje dhe herë të një repisteje. “Këtë e kam arritur duke i krehur flokët dhe bërë tualetin gjithnjë ndryshe, brenda një dite i kam ndryshuar modelet e flokëve çdo një orë, dhe e kam fotografuar”, tregon Haxhi. Në katalogët e saj gjen fytyra nga më të ndryshmet, me karaktere krejt të kundër nga njëri-tjetri, ku pudra, peneli, dhe drejtimi i furçës së flokëve, ka bërë punën e vet drejtuar nga një dorë mjeshtre.

Nuse trendi dhe klasike

“Karaktere të ndryshme për të njëtën fytyrë”, këtë ide ka arritur ta aplikojë dhe te nuset, të shtunë një nuse trendi, me flokët gjëmba-gjëmba, shkopinj-shkopinj, që gëzon me familjen e saj, të dielën një nuse klasi, me flokët onde të ftohta, dhe lule të bardha në kokë, që shkon te burri.

Çdo një muaj e gjysmë, Odeta Haxhi shkon në Greqi, në flialin e L’orealit për të marrë mësimet e fundit nga të rejat e kësaj firme. Shkon në Greqi, ku ka rrugën më të shkurtër, por mund të shkojë dhe në Itali, apo gjetkë, ku ka qendrat L’oreali. Megjithëse ka një jetë të tërë parukiere, ajo përsëri mëson. “Zanati nuk ka fund, gjithnjë dalin gjëra të reja dhe gjithnjë duhet mësuar”, thotë ajo.

Floku i lyer, dëmi i amonjakut do “shëruar” me maskë

Abuzime me termin “bojra bimore”

Jo gjithnjë më e shtrenjta, është më e mira, por nga më e lira ç’mund të presësh? Kanë hyrë shumë në treg bojrat, që quhen bimore, apo shampo bimore, por a janë vërtetë të tilla? Odeta Haxhi thotë: Jo! E para, sepse ato të dëmtojnë flokun, dhe shumë shpejt fija digjet. Çdo fije floku është e mbështjellë, si luspa peshku, kur boja nuk është e mirë, këto luspa hapen dhe t’i mendon se boja të ka bërë mirë, të ka trashur fijen, por pas pak kohësh, flokët të janë përcëlluar”, tregon Haxhi. Bojrat që shiten rëndom në treg, mund të kenë vërtet përmbajtje bimore, por nuk mjafton vetëm kaq, duhet të kenë dhe disa elemente të tjera që të mbrojnë flokun. “Por, është e padiskutueshme, çdo bojë që ka amonjak ta dëmton flokun, por nuk përjashtohet as kënaja, madje ka këna që të bëjnë alergji. Tashmë firmat prestigjoze kanë prodhuar bojra me shumë pak amonjak, por që nuk mund të marrë aq shumë tone ngjyrash sa një e zakonshme dhe bojë pa amonjak, që mund të ta çeli, ose errësojë ngjyrën e flokut në dy deri tre tone”, tregon Haxhi. Për të mënjanuar hapjen e luspave të flokut dhe djegien, kush e ka të lyer flokun patjetër duhet ta trajtojë, që dëmtimet të minimizohen. Kështu, për flokë të lyer, duhet të përdorësh maskë sa herë që e lan dhe shampo për flokë të lyer, kur floku është i dëmtuar dhe ampula për ristrukturimin e flokut.

Tendencat e kësaj vere

Flokë të kuq me onde, funde si cigane

Cilat janë tendencat e kësaj vere. Siç ndryshon moda e veshjeve ndryshon dhe e flokëve dhe ngjyrat e fytyrës. Këtë vit është moda e ciganeve, funde me rrudha dhe bluza gjithë flutura dhe në një mënyrë të tillë do të jenë dhe flokët të fryra. Kur janë të shkurtra, në një model sa më të çrregullt, ndërsa kur janë të gjata, mund të mbahen me onde dhe të shkallëzuara, duke krijuar valëzime. Kush i ka shumë kaçurela, prerja duhet të jetë pa shkallëzim, të gjitha në një vijë të drejtë, gjithnjë duke krijuar idenë e valës. Sa për ngjyrat. Vitin e kaluar ishin në modë ngjyrat e ftohta, gri, të gjelbër, neon, blu, ndërsa këtë vit janë ngjyrat e ngrohta, të gjitha nuancat e të kuqes, duke nisur nga ngjyrë karrot, portokall dhe deri “te gjuhë flake”. Po, të tilla janë dhe tonet e fytyrës dhe të syve, ngjyra sa më të nxehta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›