E Hënë, 2 Nëntor 2026

Jetimët “e institucioneve” të rrezikuar nga prostitucioni

02/05/2005  Qeveria, zgjidhja e vetme birësimi dhe dhënia në kujdestari, që në moshë të vogël

Nuk dihet se çfarë bëhet me fëmijët jetimë, pasi ata dalin nga institucionet shtetërore. Eshtë shkruar e zezë mbi të bardhë në strategjinë e Shërbimeve Sociale për 5 vitet e ardhshme, miratuar së fundi nga qeveria, që edhe pas moshës 18 vjeç, këta fëmijë nuk janë të gatshëm për të përballuar jetën, janë të rrezikuar nga trafikimi, prostitucioni, nuk kanë shtëpi as punë.

Rreth 400 fëmijë jetojnë në qendra rezidenciale shtetërore, dhe rreth 200 të tjerë në qendra jo publike. Rreth 16 mijë vlerësohet të jetë numri i fëmijëve jetimë, me një prind, ose fare pa prind, që jetojnë në familje, ose në komunitet. Por, problemet që janë evidentuar tek fëmijët që jetojnë në institucione, nuk janë të pakta, si shërbimet nuk arrijnë standartet e cilësisë dhe janë larg jetës së fëmijës në familje.

Të papërgatitur për të jetuar të pavarur

Ata janë të papërgatitur për jetë të pavarur pas moshës 18 vjeç. Femijët e rritur në institucione, dallohen për një shkallë të ulët zhvillimi intelektual, e cila reflektohet në rezultate të ulëta në mësime. Një numër i vogël arrijnë që të shkojnë në shkolla të larta. “Janë të rrezikuar nga abuzimi seksual, shtatzania e hershme dhe përfshirjen e tyre nga trafiku dhe prostitucioni. Nuk janë të siguruar me strehim dhe punë pas mbarimit të shkollës. Nuk ka informacion të saktë dhe nuk ndiqen pas daljes nga institucioni. Nuk mbahet parasysh dëshira e fëmijës në zgjedhjen e shkollës së mesme dhe profesionit”, thuhet në strategjinë e Shërbimeve Sociale, 2005-2010.

Zgjidhja, dhënia në kujdestari

Pas këtyre vërejtjeve, del e nevojshme që shtëpitë e fëmijës dhe qendrat rezidenciale të tyre, të modelohen me shërbime alternative, të zgjerohet shërbimi i kujdestarisë që deri tani nuk ka gjetur përkrahjen e duhur. Duhen rritur përpjekjet për birësimin e hershëm të fëmijëve që janë braktisur dhe, veçanërisht për fëmijët me probleme shëndetësore.

Staf jo profesional

Por, problemet e këtyre fëmijëve rrjedhin nga një staf jo profesional. Në strategji nënvizohet se, stafet e këtyre insitutcioneve nuk kanë kapacitetet e domosdoshme për të ndjekur dhe stimuluar rritjen, zhvillimin psikologjik dhe emocional të fëmijëve, modelet e sjelljes dhe problemet e aftësisë së kufizuar. Në institucione ka mungesa në paisje,orendi, për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për fëmijët, si dhe mungojnë pasijet sociale për rehabilitimin fizik të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Mbrojtja shoqërore: 10.5 miliard lekë, ose rreth 4 për qind e buxhetit vjetor

4 miliard lekë për 120 mijë familje që përfitojnë ndihmë ekonomike

63 për qind e fondeve shkojnë për Kukësin, Dibrën, Shkodrën, Lezhën dhe Elbasanin

56 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe rreth 32 mijë invalid pune: 4.7 miliard lekë

21 institucione rezidenciale dhe 5 ditore: 390 milionë lekë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›