E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sindikatat: Papunësia më e lartë se 30 për qind

02/05/2005  Dita e punëtorëve, punëtorë e pensionistë tubim përgjatë bulevardit

Nuk mund të pranohet më kjo jetë qesharake, për pensionistët dhe të papunët, thanë dje sindikalistët. Më 1 Maj 2005, në Ditën Ndërkombëtare të Punonjësve, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, organizoi një manifestim paqësor. Tubimi filloi para Selisë së Konfederatës së Sindikatave në Bulevardin “Zogu i Parë” dhe vazhdoi përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u mbyllur në Sheshin “Nënë Tereza”. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikollaj, tha se si e gjithë Bota, nuk mund të pajtohemi me skamjen e qindra miliona punëtorëve, të cilët mbijetojnë me më pak se 1 dollar në ditë, siç jetojnë edhe punonjësit shqiptarë. “Ne nuk mund të pajtohemi me gjendjen që 46.6 përqind e shqiptarëve jetojnë me mjete të pakta, me 2 dollarë për frymë në ditë dhe 17.4 përqind jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë”, tha Nikollaj. Sipas tij, papunësia është një plagë e madhe e shoqërisë sonë, veçanërisht në zonat rurale. “Papunësia e deklaruar zyrtarisht është 14.6 përqind, por realisht kjo përqindje është mbi 30 përqind. Jetohet me paga shumë të ulta, me pensione qesharake, kushte pune e jetese larg normalitetit. Në shërimin e kësaj plage që do të sigurojë edhe zbutjen e varfërisë, do të luftojmë intensivisht, që Qeveria të krijojë vende të reja pune, sidomos për zënien në punë të grave e të të rinjve”, tha Nikollaj. Dje sindikalistët bënë dhe njëherë thirrje, që të organizohen për të arrritur zgjidhjen e problemeve jetësore: mirëqenie për të gjithë, punësim, paga dhe pensione më të larta, jetë dinjitoze si qytetarët e gjithë botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›