Ekipi i kontrollit “kreh” Hipotekën e Tiranës, 9 mijë dosje me probleme
TIRANE – Problemet me qytetarët, kontroll në Hipotekën e Tiranës. Burime nga ky institucion pohojnë se prej të hënës së kaluar një grup kontrollorësh nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë nisur të kontrollojnë të gjithë dokumentacionin e Zyrës së Tiranës, duke filluar që nga janari i vitit 2008. Shkak për kontrollin e imtë janë bërë ankesat e shumta të qytetarëve, të cilët kërkojnë përgjigje për kërkesat e paraqitura në këtë institucion si dhe përfundimin e procedurave dhe veprimeve për probleme të shumta. Regjistruesit që punojnë në zyrën e Tiranës pohojnë se u kanë vënë në dispozicion kontrollorëve gjithë dokumentacionin e kërkuar, të cilët e kanë shqyrtuar me imtësi. Ndërkohë burime të tjera në hipotekën e kryeqytetit pohojnë se ekipi i kontrollit i dërguar nga kryeregjistruesi deri ditën e djeshme kishte evidentuar se rreth 9 mijë dosje pronash janë gjetur nëpër sirtarët e specialistëve të këtij institucioni, ku pjesa më e madhe prej tyre qëndrojnë prej më tepër se një viti. Po kështu aty janë evidentuar edhe dosje, në të cilat qytetarët kanë marrë përgjigje të pasakta apo të pambështetura ligjërisht. Të pyetur për këto raste, regjistruesit e kryeqytetit kanë pohuar se kanë zbatuar ligjin. Pritet që në ditët në vazhdim ekipi i kontrollit të dalë me një raport-kontrolli, drejtuar kryeregjistruesit të Republikës. Në të pritet që të publikohen të gjitha shkeljet që janë gjetur së bashku me masat që do i propozohen numrit një të hipotekave për punonjësit që kanë kryer këto shkelje. Ndërkohë, burime të tjera nga Hipoteka pohojnë se në këtë institucion, sipas ligjit duhet të kryhen kontrolle çdo fillim viti, por për vitin 2008 nuk është kryer ende. Deri dje u pohua se ishin kontrolluar më tepër se gjysma e praktikave të regjistrimit në këtë institucion, veprime të kryera pas janarit të vitit 2008. Po të njëjtat burime pohojnë se tashmë është kontrolluar më tepër se gjysma e praktikave të regjistrimit dhe përgjigjet e kthyera qytetarëve që nga janari i vitit të kaluar. Si pasojë e volumit të madh të punës në këtë institucion, ekipit të kontrollit do t’i duhet të qëndrojë në Hipotekën e kryeqytetit deri në fillim të javës së ardhshme. Ndërkohë, që në fund të javës së ardhshme pritet të përpilohet raporti i kontrollit, i cili do t’i dërgohet kryeregjistruesit të republikës. fa.ma.