E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heroina, zbulohen videot e tregtarit

 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria hodhi poshtë dje mundësinë që pronari i kompleksit “Kështjella” Zaim Tafa, i arrestuar për trafikimin e 40 kilogramëve heroinë, të jetë liruar për mungesë provash. Reagimi i organit të akuzës, vjen vetëm dy ditë pasi Gjykata e Lartë me një vendim të saj, urdhëroi lirimin nga burgu të biznesmenit të njohur, i cili ishte arrestuar gjatë operacionit antidrogë “Kështjella”, dy muaj më parë. Prokuroria tha se nuk është njohur me vendimin e Gjykatës së Lartë dhe me arsyetimin mbi të cilin është urdhëruar lirimi i të pandehurit. Megjithatë, sipas organit të akuzës, përjashtohet mundësia e lirimit për mungesë provash. “Vetë karakteri i masave të sigurimit personal ndaj të pandehurve në vetvete nuk ka të bëjë me peshimin e provave, se sa ka të bëjë me rrezikshmërinë e personit, të veprës penale që ai akuzohet se ka kryer si dhe me mundësinë e shmangies nga hetimi”, thanë burimet e akuzës. Sipas tyre, hetuesit e çështjes kanë arritur të mbledhin një sërë provash që flisnin qartë për rolin e biznesmenit në episodin e kapjes së 40 kileve heroinë, që po trafikoheshin në drejtim të Greqisë. “Një natë para kapjes së drogës në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, më datë 1 maj 2009, nga policia gjyqësore është arritur të regjistrohen fotografi dhe regjistrime filmike gjatë paketimit të drogës dhe vendosjes së saj në automjetin ku u bllokua”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, vendosja e ngarkesës së drogës prej 40 kg heroinë, në makinën me të cilën u transportua drejt Kakavijës, është bërë në afërsi të banesës së biznesmenit Zaim Tafa, i cili tri ditë më parë u la i lirë nga Gjykata e Lartë në Tiranë. Prokuroria e konsideroi këtë si një provë direkte ndërsa tha se indicet e dokumentuara gjatë përgjimit të bisedave telefonike, flasin qartë për kontakte dhe takime të shumta të biznesmenit Zaim Tafa me shtetasit gjermanë, që po transportonin drogën kur ajo u bllokua në Kakavijë.
Trafiku i heroinës
Ngarkesa e drogës e cila kap një vlerë mbi 500 mijë euro është transportuar për në Kakavijë me qëllim kalimin në Greqi, më datë 2 maj 2009. Një natë më parë, heroina ishte vendosur në automjetin, i cili të nesërmen u nis në drejtim të Kakavijës për të kaluar në Greqi. Drejtuesi i mjetit ishte shtetasi gjerman Franz Kiacsek, 63 vjeç ndërsa pasagjere në makinë ishte bashkëshortja e tij, Regina Kiacsek, 60 vjeçe. Çifti i gjermanëve u arrestua nga policia menjëherë pasi në makinën e tyre u gjetën 40 kilogramë heroinë, e cila ishte ndarë në 80 pako të mbështjella me letër natriban. Menjëherë pas bllokimit të drogës në Kakavijë, Prokuroria e Krimeve të Rënda urdhëroi arrestimin e dy personave nga Fieri, biznesmeni Zaim Tafa, pronar i kompleksit “Kështjella” dhe Albert Pëllumbaj, edhe ai biznesmen, pronar i një agjencie taksish me furgona në Fier. Në të njëjtin operacion, forcat e policisë arrestuan në Rinas në tentativë për t’u larguar nga Shqipëria, shtetasin e tretë nga Gjermania, Daniel Englert, 48 vjeç. Ai ka mbërritur në Shqipëri tri ditë para se të arrestohej dhe kishte ndjekur nga afër përgatitjet për nisjen dhe transportimin e ngarkesës me heroinë në drejtim të Greqisë, prej nga çifti gjerman do ta transportonte me traget për në Gjermani.

Prokuroria:Presim të njihemi me vendimin
TIRANE – Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila urdhëroi shuarjen e masës së sigurisë për Zaim Tafën, prokuroria duket se nuk ka shumë mundësi veprimi. Megjithatë, rruga e vetme që parashikon ligji është ankimimi i çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Burimet zyrtare nga organi i akuzës, thanë se janë në pritje për t’u njohur me vendimin e Gjykatës së Lartë, me qëllim që të shohin arsyetimin mbi të cilin Gjykata e Lartë liroi të arrestuarin. “Nëse ka objekt atakimi me Kushtetutën, ankimimi do të bëhet”, thanë burimet. Megjithatë, shanset duken të pakta që kjo të ndodhë, pasi Kushtetuta më tepër është përqendruar në drejtim të garantimit të së drejtave të njeriut sesa në përcaktimin e imtësishëm të çështjeve që kanë të bëjnë me masat e sigurimit. Masa e arrestit e biznesmenit Zaim Tafa, i cili është person i dyshuar, pra ende jo person i dënuar apo i shpallur fajtor, nuk është e para e prishur nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit ka anuluar dhjetëra vendime dhe masa sigurimi për persona të arrestuar nga Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Tiranës.                           t.s

Lirimi i biznesmenit nga Gjykata e Lartë

Tirane – Biznesmeni Zaim Tafa menjëherë pas arrestimit të tij doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila në Shkallën e Parë dhe në Apel, la ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg, pa afat”. Prokuroria e akuzoi biznesmenin për “trafikim narkotikësh, në bashkëpunim”. Me këtë akuzë, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apeli miratuan mbajtjen në qeli të personit të arrestuar deri në përfundim të gjykimit. Por vendimet e dy gjykatave të para u ankimuan nga avokati i Zaim Tafës në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit, mori çështjen në shqyrtim dhe me një vendim që ende nuk është bërë publik, liroi tri ditë më parë nga burgu të arrestuarin. Organi i akuzës reagoi duke thënë se lirimi i të arrestuarit nuk është çështje që ka të bëjë me mungesën e provave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›