E Hënë, 2 Nëntor 2026

Iran, bie avioni me 168 vetë, asnjë i mbijetuar

 

Një avion pasagjerësh në Iran u rrëzua dje duke marrë jetën e 168 personave në bord. Sipas mediave iraniane, avioni i kompanisë "Kaspian Erlajns" po fluturonte nga Teherani për në kryeqytetin armen, Jerevan, dhe u rrëzua në afërsi të qytetit iranian Qazvin. Sipas zyrtarëve në këtë qytet, avioni u shkatërrua tërësisht dhe të gjithë udhëtarët në bord besohet se kanë vdekur. Një oficer i brigadës së zjarrfikësve, tha për mediat se avioni kishte shpërthyer në momentin kur ishte përplasur në tokë pranë qytetit Qazvin. Avioni i tipit "Tupolev" u zhduk nga radarët kur kishin kaluar vetëm 16 minuta që nga nisja e fluturimit. Sipas një dëshmitari, avioni ishte rrëzuar si plumb prej qiellit. Një tjetër dëshmitar tha se ishte sjellë vërdallë për pak kohë në kërkim të një fushe për ulje emergjente, ndoshta pas problemeve me motorin apo prej një zjarri në bord. Media shtetërore iraniane shfaqi pamje të një krateri të madh të hapur në tokë prej rrëzimit. Irani nuk ka eksperiencë të mirë në sigurinë e fluturimeve. Mjetet e tij ajrore janë të vjetruara dhe për shkak të sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, Irani e ka të vështirë të blejë pjesë këmbimi. Nga raportimet mediatike thuhet se ka raste që disa pilotë sjellin në Iran fshehurazi pjesë këmbimi nga jashtë. Por, ndërsa sanksionet nuk prekin avionët që vijnë nga Rusia dhe Ukraina, avionët vendas janë të katandisur keq.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›