E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nis projektin më ambicioz të energjisë

 

Qeveria e Kosovës ka vendosur dje të nisë projektin energjetik "Kosova e Re", me termocentralin që kushton 3.5 miliardë euro. Kryeministri Thaçi prezantoi një strategji me pesë pika veprimi, ku secila fazë do të shkojë paralelisht me tjetrën, për të zgjidhur problemin e vazhdueshëm të energjisë në Kosovë. Ky pritet të jetë projekti më i madh që ka nisur deri tani Kosova. Kryeministri Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Bankës Botërore, FMN-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Komisionit Evropian dhe ICO-së, deklaruan para mediave se ranë dakord për zbatimin e këtij projekti. Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin, Gjejn Arnitejgj tha se, "Grupi i Bankës Botërore do të vazhdojë t'i japë mbështetje të plotë Kosovës në zbatimin e strategjisë energjetike dhe ne urojmë kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës për vendimin që kanë marrë sot". Ndërsa në emër të qeverisë amerikane foli zëvendësshefi i misionit të ambasadës amerikane në Prishtinë, Tomas Jazdgerdi, duke e vlerësuar vendimin për ndërtimin e termocentralit të ri një përpjekje serioze, që do të gëzojë mbështetjen amerikane. "Jam i lumtur të jem këtu sot dhe të demonstroj mbështetjen e qeverisë amerikane për këtë nismë", tha ai. Kjartan Bjornson, nga Komisioni Evropian tha se, "e kemi parë këtë fushë në dy perspektiva. Shqetësimi i parë ishte se sistemi aktual është i paqëndrueshëm, kurse shqetësimi tjetër është se vazhdimi me prodhimin e rrymës në termocentralin 'Kosova A' paraqet kërcënim për shëndetin e njerëzve", duke inkurajuar shpejtimin e projektit për termocentralin e ri. Mbështetjen e tyre para kryeministrit dhe qeverisë e kanë rikonfirmuar edhe FMN-ja dhe ICO-ja. Termocentrali aktual "Kosova B" parashihet të privatizohet vitin tjetër, por do të bëhen përpjekje që termocentrali "Kosova A", i cili është quajtur edhe "dinozauri i Kosovës" dhe ndotësi më i madh i ambientit në këtë vend, të shuhet plotësisht deri në vitin 2015. Ndërkohë do të bëhen përpjekje që pas procedurave paraprake dhe fillimit të punës, termocentrali i ri, i quajtur "Kosova e Re", të prodhojë fillimisht 1 mijë, e më pas deri në 2 mijë megavat. Edhe pse nevojat e Kosovës mendohet të jenë nga 700 deri në 800 megavat, qeveria mendon ta eksportojë rrymën dhe në këtë plan thuhet se do të ndërtohet edhe hidrocentrali i Zhurit, me kapacitet prej 300 megavatesh. Me këto vendime, Kosova synon që nga importuesi të kthehet në eksportuesin më të madh të energjisë në rajon. (REL)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›