Sherr te ish-blloku, plagoset kamerieri
Fatos Mahmutaj
Kamerieri i një lokali në zonën e ish-bllokut në Tiranë mbeti i plagosur pas një sherri mes adoleshentësh. Ngjarja ndodhi pas mesnatës së martë, duke u gdhirë dita e djeshme në një lokal në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, pranë farmacisë greke. Pasi kishin konsumuar sasi pijesh alkoolike dy grupet e adoleshentëve kanë nisur të konfliktohen mes njëri-tjetrit, fillimisht me fjalë ndërsa pak çaste më vonë me grushte. Duke u përpjekur t’i ndante, kamerieri i lokalit ka nxjerrë jashtë tre prej të rinjve që i përkisnin të njëjtit grup. Ishin dy vëllezër me mbiemër Taullai dhe një shok i tyre, Denis Saku. Duke menduar se grindja ishte shuar, kamerieri ka përzënë nga lokali edhe grupin tjetër të së rinjve, të cilët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Por rreth 10 minuta më vonë, ndërsa kamerieri po pastronte lokalin dhe po rregullonte sendet e dëmtuara nga zënka e adoleshentëve, aty kanë mbërritur Denis Saku 23 vjeç dhe dy vëllezërit Taullai, të cilët i kishte përzënë të parët nga ambientet e lokalit. Duke kërcënuar me pistoletë në dorë, ata pyesin për grupin e kundërshtarëve, ku marrin si përgjigje faktin që ata ishin larguar. Pas kësaj, njëri prej vëllezërve Taullai qëllon me pistoletë drejt kamerierit, Loris Zylaj 19 vjeç, duke i vënë në rrezik jetën. Pas kësaj autori është larguar me vrap. Ndërsa, kamerieri Zylaj është dërguar me urgjencë në spital, policia e mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur prangosjen e njërit prej vëllezërve Taullai, Ermirit 21 vjeç dhe 23 vjeçarit Denis Saku. Policia ka shpallur në kërkim vëllain e Ermir Taullait, arrestimi i të cilit ende nuk është bërë i mundur.
Dëshmitarët
Sipas deklarimeve që kanë dhënë dëshmitarët e ngjarjes, tre adoleshentët kishin disa orë që qëndronin në lokal ku konsumonin vetëm pije alkoolike, ndërsa bërtisnin dhe shqetësonin klientët e tjerë. Gjatë kësaj kohe kamerieri 19-vjeçar, Loris Zyla u ka kërkuar disa herë të flisnin më qetë me njëri–tjetrin, në mënyrë që të mos prishnin qetësinë në lokal. Të rinjtë kanë vazhduar sërish derisa kanë nisur të konfliktohen me disa moshatarë të tjerë që u kishin kërkuar të njëjtën gjë si personeli i lokalit. Fillimisht të rinjtë janë grindur me fjalë fyese mes njëri–tjetrit derisa pak minuta më vonë janë qëlluar me grushte. Pas kësaj ka ndërhyrë kamerieri, i cili i ka nxjerrë jashtë lokalit tre të rinjtë. Brenda pak minutash janë larguar edhe “kundërshtarët” e tyre. “Të fyer” nga veprimi i 19-vjeçarit, dy vëllezërit Taullai dhe shoku i tyre Denis Saku janë larguar me të shpejtë drejt banesës, ku kanë marrë një pistoletë që mbanin pa leje. Të armatosur ata kanë mbërritur sërish te lokali dhe kanë kërkuar grupin e adoleshentëve më të cilët ishin konfliktuar.
Plagosja
Pasi nuk kanë gjetur askënd nga “kundërshtarët” ata i janë drejtuar kamerierit, duke e akuzuar për fyerjen që u kishte bërë me nxjerrjen jashtë lokalit. Pasi e kanë sharë dhe ofenduar kamerierin 19-vjeçar, njëri prej dy vëllezërve Taullai, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore ka nxjerrë pistoletën dhe më të e ka qëlluar në trup. Pas kësaj autori është larguar me vrap, ndërsa i vëllai dhe shoku i tyre janë arrestuar nga policia. Burime policore pohojë se dy të rinjtë që u vunë në pranga ndodheshin në gjendje të dehur, pasi kishin konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli. Po kështu, ata kanë pohuar se edhe autori i plagosjes ndodhej në të njëjtën gjendje si ata, pasi gjatë gjithë kohës kishin pirë së bashku. Pas kësaj policia ka ngritur ndaj tyre akuzën e “vrasjes në bashkëpunim mbetur në tentativë”, megjithëse asnjë prej dy të arrestuarve nuk e ka pranuar. Ata pohojnë se autori i plagosjes është vëllai i Taullait, ndërsa grindja që parapriu ngjarjen e rëndë, sipas tyre ishte provokuar nga viktima. Ndërkohë, burime policore të cilat u referohen mjekëve të Spitalit Ushtarak pohojnë se gjendja shëndetësore e kamerierit të plagosur paraqitet e rëndë. Plumbat e kanë dëmtuar në trup, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.