Masa: Jam gjallë për mrekulli, do të kthehem shpejt në pistë
Felipe Masa dëshiron të rikthehet sa më shpejt në gara, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Në intervistën e parë, pas aksidentit të frikshëm në Budapest, ku rrezikoi seriozisht jetën, piloti brazilian i Ferrarit duket në formë mjaft të mirë. "E kam të qartë se jam me fat që ende jetoj", tha ai për britaniken "News of the World". "Megjithatë, do të kthehem sërish në pistë". Masa rrëfen se nuk i kujtohet asgjë nga pjesa e amortizatorit të makinës së Barrikelos, e cila e goditi dhunshëm në kokore, vetëm pak milimetra mbi sy: "Isha i pafat në atë episod. Nuk më kujtohet asgjë nga ajo që ndodhi në Hungari. Kur u zgjova nuk e dija përse ndodhesha në spital dhe e bëja vazhdimisht këtë pyetje. Tentova të shkëpusja të gjithë tubat, madje u grinda edhe me vëllain, sepse ai u mundua të më ndalonte. Sapo u zgjova kërkova të dija rezultatin: ajo ishte gara ime dhe nuk më besohej kur më thanë se Luis fitoi, ndërsa Kimi u rendit i dyti". Masa do të niset sot drejt Brazilit, për një periudhë rehabilitimi.