E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ekonomia, 60 për qind e ndërmarrjeve informale

10/02/2005  OECD, plan veprimi për të reduktuar informalitetin në 2005

Pjesa e paligjshme e ekonomisë që jeton në kurriz të atyre që paguajnë taksat dhe përballojnë programet buxhetore të qeverisë, është dhe pjesa më e madhe. Ekonomia shqiptare i ka sipërmarrjet e ligjshme në minorancë dhe informaliteti në disa sektorë arrin deri në 60 për qind të GDP–së. Duket se shifra më e ulët e informalitetit, e përllogaritur në 2004-ën, ka qenë në nivelin e 30 përqindshit. “Sipas kalkulimeve të bëra në disa sektorë të ekonomisë, rezulton që masa e informalitetit të lëvizë nga 30–60 për qind e të ardhurave të brendshme bruto”, ka deklaruar Declan Murphy, drejtor i Programit të Investimit për Evropën Juglindore. Për ministrin e Ekonomisë, Angjeli, shifra e lartë e informalitetit nuk është tregues për të gjithë ekonominë. “Ne i kemi kërkuar vetë asistencë OECD-së për të matur informalitetin dhe mund të thuhet se në sektorë të ndryshëm kjo shifër është e ndryshme”, ka deklaruar ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli. Kështu pas një kërkese të qeverisë drejtuar OECD-së, kjo e fundit bëri një sondazh të hollësishëm mbi përqindjen e informalitetit të ekonomisë shqiptare, duke nxjerrë në fund një përfundim të hidhur. Ndërmarrja e një programi konkret për reduktimin e ekonomisë informale mbështetur në raportin e fundit, e cila jo thjesht evidenton ekonominë informale, por dhe ndikimin negativ që ka mbi zhvillimin e sipërmarrjes. Me këto shifra, Shqipëria rreshtohet në top listën e vendeve me përqidjen më të lartë të informalitetit të ekonomisë në Evropën Juglinore. Masa e lartë e informalitetit është vetëm një nga statistikat shqetësuese. Duket se firmat që operojnë në Shqipëri kanë më shumë dëshirë të jenë pjesë e ekonomisë së zezë se sa të ligjshëm. “Eshtë shumë e vështirë të bësh një llogaritje të shkallës së informalitetit në raport me PBB-në, sepse pjesa më e madhe e firmave nuk deklarohen”, ka thënë eksperti i OECD–së. Ky fakt është pranuar dhe nga ministri i Ekonomisë, Angjeli, i cili ka justifikuar shqetësimin e qeverisë për të reduktuar informalitetin në ekonomi, duke kërkuar pikërisht ndihmën e OECD–së për ta konstatuar qartë atë. “Thelbi i masave për reduktimin e ekonomisë informale, i atij lloj informaliteti që me të drejtë raporti e vlerëson si kërcënues për efekt të konkurrencës në treg, qëndron te thellimi i zbatimit të politikave fiskale dhe të sigurimeve shoqërore”, ka bërë të ditur Angjeli gjatë konferencës për shtyp. Në planin e veprimit që OECD-ja i ka propozuar qeverisë shqiptare, janë të përfshira 75 masa konkrete, zbatimi i të cilave pritet të sjellë një tjetër atmosferë për SME–të në Shqipëri. Kështu, qeverisë do t’i duhet të përmirësojë procedurat e liçensimit të biznesit, të reduktojë barrierat administrative tatimore dhe doganore në fushën e tokës dhe të ndërtimit. Këto janë disa nga hapat që duhet të zbatohen, për të mos patur vlerën e lartë të informalitetit, që arrin deri në 60 për qind dhe bën që pjesa prej 40 për qind të paguajë gjithë volumin e taksave dhe tatimeve. Kështu, sipas të dhënave, rezulton se realizimi 98 për qind i planit nga ana e tatimorëve, i referohet realizimit të një plani buxhetor vetëm me një të katërtën e ekonomisë së vendit, ndërkohë që pjesa tjetër ka qenë jashtë syrit të tatimorëve.

Informaliteti 30–60 për qind

Ndërmarrjet

1 në 4 ilegale

OECD, tatimorët kujdes me biznesin

OECD nuk mohon hapat pozitive që janë bërë në lidhje me sistemin rregullator të SME–ve apo privatizimin e BK-së. Megjithatë raporti i përgatitur prej saj tregon se interesat e sipërmarrësve të biznesit të vogël i referohen shumë çështjeve që kanë nevojë për reformë. Duhet patur kujdes me mënyrën se si administrata e taksave operon si dhe impaktet negative që vijnë nga sektori informal“, ka thënë në raportin e vet OECD-ja. Zbatimi i rekomandimeve që ka lënë OECD-ja për qeverinë, mendohet të jetë mjaft i rëndësishëm dhe duhet të gjejë zbatim në 2005-ën. Kështu, qeverisë i duhet të bëjë një punë të madhe në 2005-ën për të reduktuar edhe më tej barrierat administrative, mes të cilave një rëndësi të veçantë ka rimbursimi brenda një muaji i TVSH–së.

Shtatë rekomandimet e OECD për SME–të

Plani i veprimeve të agjencive të SME–ve

Reduktimi i barrierave administrative

Rimbursimi i TVSH–së brenda një muaji

Përmirësimi i aksesit të SME-ve në kreditë tregtare

Krijimi më i mirë i shërbimeve të mbështetjes së NVM

Fillimi i veprimeve për përdorimin e inkubatorëve të biznesit Krijimi i një grupi pune për programe mësimore në lidhje me biznesin

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›