E Hënë, 2 Nëntor 2026

Noterët në pension 65 vjeç,ligji i ri nuk zbatohet

10/02/2005  Dhoma e noterëve kundërshton ligjin. Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi, por nuk zbatohet prej muajsh

Noteria, megjithëse hyn në profesionet e lira, nuk do të ushtrohet deri në vdekje. Edhe noterët duhet të dalin në pension në moshën 65 vjeç, ndonëse për të tjerët mosha e pensionit është 60 vjeç për gratë, 65 vjeç për burrat. Fillimisht, noterët nuk e pranuan një ligj të tillë. Në muajin qershor të vitit të kaluar, ata i paditën ndryshimet e reja të ligjit në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimet e ndryshimeve që i janë bërë më 1 prill të vitit të kaluar ligjit për noterinë. Burime nga Gjykata Kushtetuese shpjegojnë se, duke qenë se ligji nuk shkelte Kushtetutën, ai mbeteti në fuqi. Megjithëse ky ligj është botuar në Fletore Zyrtare prej 6 muajsh ai nuk ka nisur ende të zbatohet.

Mosha maksimale

Caktimi i një moshe maksimale prej 65 vjeç për ushtrimin e profesionit të noterisë do të thotë që mbushjen e kësaj moshe noterëve iu hiqet licensa. Për këto arsye, noterët kërkuan në Gjykatën Kushtetuese shpalljen si “të papajtueshëm me Kushtetutën të disa paragrafëve të ligjit nr.9016, datë 1 prill 2004, për disa shtesa e ndryshime në ligjin 7829, dt.1 qershor 1994, “Për noterinë”.

Dhoma Kombëtare e Noterisë s'e njeh ligjin

"Nuk më ka ardhur zyrtarisht asnjë ligj, apo vendim që të vendosë moshën 65 vjeç, si kufi për ushtrimin e profesionit. Por, edhe sikur të ndodhë, ky ligj nuk mund të zbatohet kaq lehtë. Pasi që të zbatohet kërkon një studim. Duhet të përgatitet një studim, ku të nxirret mosha e çdo noteri dhe kujt i bie të dalë në pension këtë vit dhe kujt vitin tjetër e me radhë. Unë jam e interesuar që të zbatohet një ligj i tillë, pasi ka shumë që presin pas dere dhe kërkojnë që të bëhen noterë", thotë Shpresa Kurti, kryetare e Dhomës së Noterisë. Në fakt, është pikërisht Dhoma Kombëtare e Notërisë që e ka dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Por, jo vetëm kryetarja Kurti nuk ka dijeni për ekzistencën e një ligji, por shumë noterë në Tiranë thonë se nuk kanë dijeni për këtë ligj. Aktualisht janë 300 noterë që ushtrojnë këtë profesion në gjithë vendin, prej tyre 147 janë vetëm në Tiranë.

Vula, pronë, apo e drejtë e deleguar

Në jo pak dokumente gjendet vula e njerëzve mbi 65 vjeç. Mosha e tyre shkon deri në 80 vjeç, ka dhe që janë jashtë shtetit, megjithëse dokumentet vulosen nga vula e tyre. Por, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterisë, Shpresa Kurti, shprehet se absolutisht nuk ndodh këtu. "Ne kemi inspektorë dhe Ministria e Drejtësisë ka inspektorë dhe kur ikën jashtë shtetit dikush vjen dhe e dorëzon vulën dhe pasi kthehet e merr përsëri", shpjegohet Kurti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›