E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shteti të kompensojë me vlerën reale

10/02/2005  PD paraqet në parlament amendamentet për vlerën e tokës në Shqipëri

Ish-pronarët, legalizimet me çmime minimale

Partia Demokratike deklaron se do të dërgojë, javën që vjen, në parlament një amendament për ligjin e legalizimeve, i cili parashikon blerjen e tokës, me qëllim legalizimin e ndërtesës, me çmim më të ulët se ai i parashikuar në ligjin aktual. Lideri demokrat, Sali Berisha, tha dje se opozita nuk do të pajtohet me ligjin e hartuar nga qeveria, dhe do të kërkojë rikthimin e tij për shqyrtim në parlament. Amendamentet e PD-së parashikojnë që çështja e pronësisë të merret plotësisht përsipër nga shteti, kurse ata që kanë ndërtuar në këto troje ta paguajnë atë me një çmim simbolik. Amendimet kanë për bazë dhe moralitetin, ashtu edhe precedentin ligjor", tha Berisha. Sipas liderit demokrat, në amendamentet e opozitës përjashtohet kompensimi monetar i tokës për ish-pronarët, pasi për opozitën janë të gjitha mundësitë që ky kompensim të bëhet me toka në bregdet. "Po të jetë puna për kompensimin monetar të pronës, kjo është një mundësi shumë e pakët, por të jetë çështja për kompensim fizik me troje të çmuara në bregdet, apo zona turistike, kjo është mundësi plotësisht e realizueshme, dhe është në interes kombëtar që kjo mundësi të shfrytëzohet dhe nga ana tjetër krijon mundësinë e zhvillimit të turizmit", tha Berisha. Nga ana tjetër, lideri demokrat tha se, në rast se qeveria nuk do të marrë për bazë propozimet e opozitës, atëherë strategjinë e tyre pë legalizimin demokratët do ta vënë në jetë menjëherë pas ardhjes së tyre në pushtet. "Fatura ekonomike duhet të variojë nga 1 deri në 5 milionë lekë të vjetra. Kjo është plotësisht e realizueshme", tha Berisha. Sipas demokratëve, shuma që do të mblidhet nga legalizimet duhet të shkojnë për urbanizimin e zonave informale, ku janë ngritur dhe ndërtimet pa leje.

PS, të gjendet vija e mesme

Çmimin që duhet të paguajnë të ardhurit në periferitë e qyteteve për tokën e zënë e kanë kundërshtuar edhe një pjesë e deputetëve të PS-së. Sipas mazhorancës, të ardhurit në periferitë e qyteteve nuk mund të përballojnë çmime që variojnë nga 78 deri në 606 euro për zonat urbane, për shkak të gjendjes së tyre të varfër ekonomike. Deputetit i PS-së, Bardhyl Agasi, thotë se "nuk mund të pretendojmë që duke dëmtuar njërën palë të kompensojmë palën tjetër. Por duhet të gjejmë një të mesme të artë, që të jetë e pranueshme nga të dyja palët". Ndërkohë që ish-pronarët do të kompensohen në bazë të çmimit të tregut, për atë pjesë që do të ketë kompensim në vlera monetare. Ndërsa pjesa më e madhe do të kompensohen në natyrë sipas ligjit. Kundër çmimeve të vendosura për legalizimin e ndërtimeve në zonat informale kanë dalë dhe deputetët e LSI-së. Deputetët kësaj force politike janë shprehur se shteti i ka mashtruar banorët e këtyre zonave kur u premtoi legalizim brenda mundësive ekonomike. LSI është e mendimit se banorët duhet të legalizohen sa më shprejt dhe brenda mundësive financiare që ata kanë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›