Vijon ndarja e Ballit Kombëtar
10/02/2005 Ish-kryetari i Partisë Balli Kombëtar, dega Elbasan, Gëzim Meçe, ka akuzuar drejtuesit e qendrës se po e çojnë partinë drejt shpërbërjes. Menjëherë pasi ka marrë në dorë vendimin për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të PBK-së së Degës, Meçe nuk i ka kursyer akuzat e tij ndaj krerëve të partisë. "Prej disa kohësh, kjo parti nuk ka një strategji të informimit të opinionit publik dhe në zgjedhjet e fundit ka marrë vetëm 1 për qind të votave, duke treguar një rënie të konsiderueshme. Në Elbasan janë rreth 300 anëtarë aktiv dhe gjithashtu kjo parti përfaqësohet edhe në këshillin bashkiak, ndërsa aleancat e fshehta të qendrës po bëjnë që bjerrja të jetë deri në eliminim të kësaj force politike. Prania e fraksioneve në Ballin Kombëtar kanë shkaktuar një situatë jo të mirë për këtë parti, e cila ka një program tërësisht të djathtë dhe nuk mund të bëjë aleanca të majta. Kryetari i kësaj partie i zgjedhur nga Kongresi i Jashtëzakonshëm, Adriatik Alimadhi, është nga Skrapari, gjë që krijon edhe një tjetër motiv për ta kthyer Ballin në shërbim të focave të majta", tha Meçe.