Ekonomia britanike ne recesion

Ekonomia britanike gjendet në recesion. Zyra kombëtare e statistikave ka komunikuar shifrat për gjashtë mujorin e parë të vitit, ku rezulton se ekonomia është rrudhur me 1%. Sipas raportit statistikor moti i lagësht dhe ditët shtesë të pushimeve kanë ndikuar në rënien e ekonomisë që është nën presionin e qëndrueshëm të krizës në eurozonë dhe programeve qeveritare të shtrëngimit ekonomik. Rënia e ekonomisë në tremujorin e dytë të këtij viti është më e larta që nga tremujori i parë i vitit 2009 kur ekonomia globale ishte në kulmin e recesionit që pasoi ngrirjen e kreditit në shtetet e bashkuara.
Ndërkohë kryeministri britanik David Cameron ka mbrojtur pozicionin e tij mbi politikat ekonomike duke theksuar se qeveria e koalicionit është fokusuar në programin për ta çuar Britaninë jashtë recesionit. Duke folur në konferencën për Investimet Globale në Londër, Cameron ka dhënë një apel për shtim të investimeve ndërkombëtare me shpresën për të rikthyer besimin në financat publike të vendit.
mesazhi im është i qartë, të mos ketë asnjë dyshim për punën tonë për të ecur përpara, do të impenjohemi me deficitin, do të mbajmë normat e interesit të ulëta dhe do të vijojmë të marrim vendime të vështira që janë të nevojshme për kompanitë e mëdha dhe investitorët, për tu kthyer atyre besimin në të ardhmen e ekonomisë britanike.
Cameron ka theksuar gjithashtu nevojën për një reformë në sektorin bankar, sikurse mbajtja nën kontroll e borxhit publik, një rritje të eksporteve tregtare si dhe krijimin e një klime më të favorshme për bizneset dhe investitorët.
Britania është zhytur në recesion e dytë që nga kriza financiare, me një ngushtim të ekonomisë për tremujorin e tretë në radhë, ndërkohë që qeveria përmes një programi të ashpër fiskal synon të ulë nivelin e deficitit të lartë buxhetor.