E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Ministrit te Jashtem ne Prishtinen zyrtare

Ministri i jashtëm i Shqipërisë Edmond Panariti, në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, u prit nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi dhe zëvendëskryeministrat Bexhet Pacolli dhe Sllobodan Petrovic. 
Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është vënë theski tek bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë e zgjerimit të mëtejshem të tij.
Duke e çmuar lart këtë bashkëpunim, ministri Panariti e konsideroi Kosoven si model për vendet e tjera të rajonit. Ai theksoi se ka hapësirë për rritjen e këtij bashkëpunimi, falë edhe lehtësirave të mëdha që ka krijuar ndërtimi i infrastrukturës rrugore në të dy anët e kufirit.
Ministri Panariti vlerësoi lart hapat cilësorë që ka bërë Kosova në rrugën e saj të zhvillimit e të integrimit, ndërsa u shpreh se qeveria shqiptare ndjek me vëmendje të veçantë të gjitha zhvillimet në Kosovë. Ai konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare për shtimin e njohjeve të pavarësisë dhe shfaqi gatishmërinë për të ofruar të gjithë përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik.
Duke përkrahur vendosjen e autoritetit të institucioneve të Kosovës në çdo pjesë të territorit të saj, shefi i politikës së jashtme shqiptare konfirmoi mbështetjen për Zyrën Administrative në veri dhe për zbatimin e Planit të Ahtisarit.
Ndërsa gjatë takimit me zv/kryeministrin Behxhet Pacolli, ky i fundit ka  informuar ministrin Panariti me proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, me theks të veçantë për procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikqyrur.
Gjithashtu, Pacolli e ka informnuar ministrin Panariti edhe për arsyet e vendimit të ministrisë së Tregtisë për taksën prej 35 përqind për importin e çimentos. Pacolli ka thënë se një vendim i tillë nuk është drejtuar në asnjë mënyrë kundër askujt, e veqanërisht nuk është drejtuar kundër eksportit të Shqipërisë.
Në anën tjetër, ministri i punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se MPJ e Shqipërisë dhe gjithë Qeveria shqiptare janë në mbështetje të parezervë të proceseve politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Ministri Panariti, ka thënë se shteti shqiptar, do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjitha pjesët e territorit.
Gjithashtu, Panariti ka thënë se Republika e Shqipërisë, do të vazhdojë të luajë rolin e vet në lobimin për njohjet e reja për shtetin e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›