Krerët politikë, këndvështrime të ndryshime për njëvjetorin e anëtarësimit në NATO
Eljona Ballhysa
Krerët më të lartë të politikës shqiptare kanë kujtuar dje 1-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO. Por, ashtu si në çdo festë, edhe kjo ditë e shënuar është përkujtuar dhe komentuar nga këndvështrime të ndryshme nga të dyja kampet e politikës. I vetmi që ka dhënë një mesazh të ekuilibruar për qytetarët shqiptarë ka qenë Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai e cilësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO si ngjarjen më të madhe në historinë e Shqipërisë. “Sot ne festojmë njëvjetorin e kësaj ngjarjeje duke shprehur mirënjohjen për të gjitha vendet anëtare të Aleancës që besuan në forcën tonë, në angazhimin tonë, në vendosmërinë tonë, në seriozitetin tonë, në ëndrrën tonë dhe në aspiratën tonë për të lënë përfundimisht mbrapa të kaluarën historike dhe për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët të kombeve të lira të botës së qytetëruar.
Sot është dita për të falënderuar të gjithë popullin shqiptar, të gjithë ata që nuk e humbën shpresën dhe luftuan me diktaturën për të prekur lirinë, të gjithë ata që patën frymëzim demokracinë dhe dita për t’u përulur ndaj kujtimit të atyre që luftuan dhe dhanë jetën që kombi shqiptar të jetojë ëndrrën e vet. Ne do të mbetemi të vendosur në angazhimet tona, në përgjegjësitë tona dhe se anëtarësimi në NATO na bën më të përgjegjshëm ndaj sfidave tona të brendshme dhe të jashtme, por edhe më të sigurt se nuk jemi vetëm në përballjen e tyre. Ne jemi së bashku me vendet dhe popujt e lirë të botës së qytetëruar”, - është shprehur Topi në një mesazh drejtuar qytetarëve shqiptarë.
Ndërsa lideri i opozitës, Edi Rama, u shpreh dje për mediat se përvjetori i parë i Shqipërisë në NATO e gjen Shqipërinë në një krizë të thellë.
I kundërt ka qenë qëndrimi i kryeministrit Berisha, i cili foli për reforma të mëdha dhe për prioritetin e qeverisë së tij anëtarësimin e vendit në BE.
Opozita
“Në përvjetorin e parë të hyrjes në NATO vlen të thuhen disa fjalë, duke e nisur nga më e para fjalë që duhet thënë për NATO-n, si një aleancë parimesh dhe vlerash, një forcë ushtarake në mbrojtje të botës së lirë nga kërcënimet e së keqes. Sot, ky përvjetor i parë i hyrjes në këtë aleancë të madhe, të popujve të lirë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, e gjen Shqipërinë në protestën e popullit opozitar, pikërisht sepse liria, demokracia, drejtësia dhe ekonomia janë nën një kërcënim të përditshëm”, - është shprehur Rama, ndërsa e ka cilësuar këtë një bilanc të hidhur. “Ky është bilanci i përvjetorit të parë të hyrjes në NATO, një bilanc që lidhet me një zhvillim jashtëzakonisht dramatik dhe shqetësues për të sotmen dhe për të nesërmen e vendit, që i ka rrënjët te deformimi i vullnetit të popullit në zgjedhje dhe pastaj shtrihet në një proces degradimi të qeverisjes, e cila nuk u garanton njerëzve rrugët e zhvillimit dhe të mirëqenies, e cila është shprehje kuptimplotë, në përditshmërinë e jetës së njerëzve, e faktit të thjeshtë se pasi u grabitën votat, po u grabitet përditë hapësira e lirive politike, shoqërore dhe ekonomike në këtë vend. Sot u ndalohet shqiptarëve e drejta themelore e transparencës dhe ndërkohë shqiptarëve u vijnë përditë fatura vendimmarrjesh tërësisht jotransparente, që burojnë nga papërgjegjshmëria e një pushteti, i cili rëndon përditë e më shumë peshën e keqqeverisjes mbi qytetarët. Jemi në një proces degradimi demokratik dhe ekonomik dhe ky përvjetor i parë i hyrjes në aleancën e parimeve dhe vlerave të demokracisë, na gjen në mungesë të garancive më elementare për qytetarin, për sipërmarrësin, për organizatat shoqërore, apo edhe ato politike”, - është shprehur Rama, ndërsa shtoi se opozita është e angazhuar në organizimin e protestave në gjithë vendin.
Maxhoranca
Ndërsa kryeministri Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e organizuar me Forcat e Armatosura, e cilësoi anëtarësimin e vendit në NATO si ngjarjen më të madhe për Shqipërinë pas shpalljes së pavarësisë së vendit. Sipas Berishës, “anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një inkurajim i jashtëzakonshëm për institucionet e këtij vendi dhe për shoqërinë e tij, për të ndërmarrë reforma të gjithanshme dhe transformuese, por dua të theksoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë në vetvete një nxitje shumë e madhe. Në rast i kthejmë sytë dhe analizojmë, në vitin e parë si aleatë të NATO-s ne mund të numërojmë me krenari arritje të shumta, më të shumta se në histori tjetër. Në vitin e parë të anëtarësimit në NATO Shqipëria zhvilloi zgjedhjet më të mira në historinë e saj. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë kusht themelor i funksionimit të lirisë dhe institucioneve të një vendi demokratik. Në vitin e parë të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ne merituam të votëbesoheshim nga qeveritë e 27-të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për statusin e vendit kandidatit për në BE. Vendimi i datës 16 nëntor në raport me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian është, pothuajse, siamez me vendimin e 2 prillit të vitit 2008, me ftesën për t’u bërë anëtar i NATO-s. Më 16 nëntor ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, në emër të qeverive të tyre, vendosën për Shqipërinë si një vend i përshtatshëm për të ecur në rrugën e anëtarësimit të plotë. Mbi këtë vendim u bë dhe dorëzimi i Pyetësorit prej 2284 pyetjesh, në të cilat ju keni dhënë kontributin tuaj me përgjigjet ndaj tyre”, - u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. Ai premtoi se qeveria e tij do të angazhohet njëlloj “siç u angazhua në procesin e anëtarësimit në NATO, të marrim çdo vendim, të ndërmarrim çdo reformë, të miratojmë çdo ligj, të vendosim çdo praktikë që do të bëj të mundur që standardet e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Europian të gëzohen edhe nga qytetarët shqiptarë”.
Topalli, ceremoni të veçantë në përkujtim të 4 heronjve të prillit
Në ceremoninë e veçantë për 1-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO me të rinjtë dhe të rejat, kryetarja e Kuvendit, me respekt dhe nderim të thellë, përkujtoi një tjetër përvjetor, atë të 2 prillit të vitit 1991, ku katër të rinj u ekzekutuan barbarisht nga regjimi komunist në Shkodër. Duke vlerësuar veprën e tyre heroike në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë, kryetarja Topalli theksoi se sot, pas 20 vitesh, ëndrra e tyre për një Shqipëri europiane është shndërruar në realitet. “Në këtë përvjetor të ngjarjes historike të Shqipërisë në NATO unë nuk mund të rri pa përmendur edhe një përvjetor tjetër, 2 prillin, i cili më kujton atë ditë të vështirë, kur katër të rinj, ndonjëri pak mbi moshën tuaj, të tjerët pak a shumë sa ju, u vranë në Shkodër, sepse kërkonin lirinë dhe kërkonin rrëzimin e komunizmit. Le të nderojmë kujtimin e 2 prillit të këtyre katër të rinjve. Të mbajmë një minutë heshtje për ta”, - u shpreh kryetarja Topalli. Në nderim të thellë të veprës së katër “Dëshmorëve të demokracisë”, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut, kryetarja e Kuvendit i ftoi të rinjtë dhe të rejat të mbanin një minutë heshtje.
3 Prill 2010