“Ekonomia është e gjallë - Edi Rama, i verbër ndaj sukseseve të qeverisë”
Reagon Ministria e Financave: Bashkia e Tiranës dhe bashkitë socialiste, me deficit prej 4.1 miliardë lekësh
Rritja e Pagave dhe pensioneve reflekton situatën tërësisht pozitive të financave publike dhe sulmi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, ndaj vendimit të qeverisë, tregon verbërinë e tij nga sukseset e ekonomisë së vendit dhe tmerrin nga braktisja politike dhe elektorale. Në këtë formë u është kundërpërgjigjur Ministria e Financave akuzave të Edi Ramës për situatën ekonomike, menjëherë pas rritjes së pensioneve.
Përmes një deklarate për shtyp, dikasteri i financave sqaron se Rama me sulmet e tij të vazhdueshme kërkon të bllokojë rritjen e pagave dhe pensioneve.
“I verbuar nga sukseset e ekonomisë së vendit dhe i tmerruar nga braktisja e tij politike dhe elektorale, kreu i opozitës Edvin Rama, përmes sulmit më të fundit që synon bllokimin e rritjes së pagave dhe të pensioneve, dëshmon se nuk ka as program e as alternativë tjetër për t’u ofruar shqiptarëve. Rama ofron vetëm mallkim dhe urrejtje për punën dhe ekonominë që ata përmirësojnë çdo ditë”, deklaron Ministria e Financave.
Sulmet e Ramës janë si rezultat i krizës së politikave të tij tërësisht të dështuara.
Ditët e fundit qeveria zbatoi një nga pikat e programit të saj për vitin 2010, atë për rritjen e pagave dhe të pensioneve, për një vlere vjetore në shumën 12 miliardë lekë.
“Nga kjo rritje pensionesh dhe pagash, do të jenë 540 mijë pensionistë që do të marrin një pension shtesë në harkun e një viti; do të jenë rreth 50 mijë punonjës të arsimit që do të marrin 30 mijë lekë të reja shtesë nga kjo rritje e pagave (ose 80 për qind shtesë rrogë e plotë mujore), si dhe do të jenë 30 mijë mjekë dhe infermiere që do të marrin një pagë shtese në vit”, thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Financave.
Duke publikuar të dhëna për treguesit ekonomikë dhe të ardhurat e realizuara, Ministria e Financave ka akuzuar gjithashtu kryetarin e bashkisë së Tiranës niveli më i ulët i realizimit të të ardhurave vijnë nga bashkia e tij dhe ato të drejtuara nga socialistët.
“Zëri i të ardhurave që ka nivelin më të ulët të realizimit, janë të ardhurat e Ramës dhe të bashkive të tij të cilët kanë krijuar si 5 mujor një deficit prej 4.1 miliardë lekësh, ose sa 58 për qind për qind e planit të vitit. Nëse bëhet fjalë për deficit të mos-realizimit të të ardhurave në buxhetin e konsoliduar, këtë përgjegjësi dhe shpjegimet për këtë duhet t’i japë zoti Rama dhe emisarët e tij në bashkitë e vendit që drejtohen nga opozita”, vijon më tej, deklarata e Ministrisë së Financave.
Akuzat e Ramës, Ministria e Financave i ka cilësuar si një strategji për të përhapur panik dhe pasiguri në opinionin publik rreth të ardhmes ekonomike të vendit, por ashtu siç morën fund tendencat për sfidimin e rendit ligjor, ashtu do ta pësojë edhe qëndrimi i tij i fundit, i sulmeve ndaj ekonomisë.
“Strategjia më e fundit e Edvin Ramës për të hapur panik dhe pasiguri në opinonin publik rreth të ardhmes së ekonomisë shqiptare, ju garantojmë që do jetë po aq e dështuar, sa edhe strategjia e tij për të destabilizuar rendin kushtetues me kërkesat absurde, apo tentativat e ethshme për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Si gjithmonë Rama hesapet i bën pa hanxhine!”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë së Financave.