Mimi Kodheli, viti 1997 dhe fabula e vjetër me dhelprën dhe dashin
Mimi Kodheli doli dje para gazetarëve. Doli, foli e foli, por nuk tha asgjë. Saktësisht, përsëriti gjysmën e parë të deklaratës së Edi Ramës, së dy ditëve më parë.
Duke përjashtuar llogaritë e dy ditëve më parë të Edi Ramës për (mos) rritjen e pensioneve, sikurse një vit më parë me të njëjtën logjikë (s’)bënte llogaritë e (pa)mundësisë së (mos)pagesë nga qytetarët të kartës së identitetit në vlerën e 1200 lekëve, duke përjashtuar edhe përgjigjet e tij të dy ditëve më parë përballë interesimit të gazetarëve, të cilat dje nuk u përsëritën nga Mimi Kodheli, gjithsesi, “ndalesa” e saj te “borxhi që qeveria qenkësh duke marrë nga depozitat e qytetarëve nëpër banka”, ishte e mjaftueshme për ta identifikuar atë dje si suflerë e Edi Ramës, për gjysmën e parë të deklaratës së tij të dy ditëve më parë.
Mimi Kodheli, e cila dje nuk ishte asgjë më shumë se një zë i korit “vajtues” për krizën e supozuar ekonomike, një lloj, sikurse edhe “udhëheqësit” e tjerë të komanduar të PS-së, nga Edi Rama e poshtë, në kushtet kur nuk guxon të përmendi “kutitë”, e vendosur pas një podiumi ku në fasadën e të cilit nuk shkruhet më “hap kutitë, ose ik”, por prej disa ditësh jo aq çuditërisht nuk shkruhet as edhe “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”, duke u larguar nga ky “aktualitet” shumë prezent prej rreth një viti, u shty dje në kohë, shumë e shumë vite më parë, në vitet e piramidave financiare të vitit 1996-1997.
Pikërisht, këtë bëri edhe dy ditë më parë Edi Rama, në pjesën e parë të deklaratës së tij të përjavshme para gazetarëve.
Sigurisht, të kuptohemi...
Mimi Kodheli nuk është se lexoi fjalë për fjalë, pjesën e parë të deklaratës së dy ditëve më parë të Edi Ramës, por si ata fëmijët e shkollës së fillores, apo edhe 9-vjeçares, të cilët vihen nga mësuesja të lexojnë një pjesë letrare e më pas ta ritregojnë me fjalët e tyre, edhe Mimi Kodheli këtë bëri... Pasi kishte lexuar pjesën e parë të deklaratës së dy ditëve më parë të Edi Ramës, dje doli dhe e ritregoi atë me “fjalët e saj”.
Do të pyes ndokush..., “po pse Mimi nuk e ritregoi të gjithë deklaratën e dy ditëve më parë të Edi Ramës?’.
Për këtë pyetje ka dy përgjigje të mundshme...
E para, Mimi Kodheli, aq kishte mundur të mbante mend...
E dyta, ndoshta sepse për pjesën e dytë të deklaratës së Edi Ramës të dy ditëve më parë, sot mund të dalë ndonjë “udhëheqës” tjetër i komanduar i PS-së, të cilën mund ta ritregojë me “fjalët e tij”.
Përjashto shterpësinë e pjesës së parë të deklaratës së dy ditëve Edi Ramës, të ritreguar dje me “fjalët e saj” nga Mimi Kodheli, ajo që të bën që të ndjesh më shumë keqardhje, është “argumenti” që përsërit opozita, sipas së cilës, “do të ketë krizë ekonomike, sepse kishte edhe në vitin 1997”...
Duke u larguar paksa nga “argumenti”, apo edhe nga analiza e sjelljes së opozitës, ndoshta është vendi të bëhet një paralelizëm me atë fabulën që tregojnë me dhelprën që rendte pas atyre... (testikulave) të dashit, me shpresën se ashtu të varura, mund ti këputeshin e ti binin, që ajo ti hante, duket pse kishte dëgjuar se ishin të shijshme. Këtë po bën edhe opozita që prej më se një viti, duke rendur në mënyrë të herëpashershme, pas dash-ekonomisë, kur nuk ka ndonjë gjë tjetër të parëndësishme për të bërë, sikurse është zhurma për çmimin e kartave të identitetit, apo për kutitë, tashmë të harruara.
Gjithsesi, opozita, Edi Rama, Mimi Kodheli, etj..., etj..., janë në të drejtën e tyre të ulërijnë për krizë të supozuar ekonomike, sikurse prej muajsh ulërinin për “krizë kutish”, Krizë vizash”.., etj..., etj..., por për aq kohë, sa fabula me dhelprën dhe dashin, shumë më e vjetër se zhurma e opozitës, por edhe shumë..., shumë..., shumë..., më e vjetër edhe se viti 1997, nuk ka ndonjë fund të mundshëm, sipas të cilit, dashit ti kenë rënë ato (testikulat) dhe dhelpra ti ketë ngrënë, “udhëheqësve” të opozitës, ende për shumë e shumë kohë, do tu duhet në ndajnë fatin me dhelprën, për aq kohë sa do të rendin pas dash-ekonomisë shqiptare.