“Reforma zgjedhore të finalizohet brenda tetorit, të respektohet Kushtetuta”

LSI apelon që opozita të bashkëpunojë për reformat, jo të shfaqë kamuflazhe për të përfituar pushtetin
Lëvizja Socialiste për Integrim ka kërkuar sërish dje nisjen nga puna për hartimin e Kodit Zgjedhor, në prag të zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Nënkryetari i LSI-së Edmond Haxhinasto tha se opozita duhet të tregojë se është e interesuar vërtetë për transparencë dhe kjo do jetë e dukshme nëse do të marrë pjesë në komisionin për reformën zgjedhore.
“Dëshiroj të rishpreh qëndrimin e LSI se reforma zgjedhore gjithë përfshirëse është një domosdoshmëri dhe duhet të jetë objektivi i çdo force të përgjegjshme politike. Përfundimi i reformës duhet bërë në kohë. Në muajin tetor ajo duhet përfunduar për të respektuar afatet kushtetuese për zhvillimin normal të zgjedhjeve të ardhshme vendore. Angazhimi në kohë në këtë proces është treguesi më i mirë nëse transparenca e procesit zgjedhor dhe përmirësimi i standardeve zgjedhore janë vërtetë kauza dhe objektiva politike të opozitës, dhe jo kamuflazh i dëshirës për të krijuar kriza politike dhe për të përfituar pushtet ilegjitim nëpërmjet tyre”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas tij, deklarimet e opozitës për bojkot të ardhshëm të parlamentit, dhe mos-votim të ligjeve janë veçse mosnjohje e përgjegjësive themelore politike e institucionale të opozitës, pasojë e filozofisë politike të tokës së djegur që ajo ka adoptuar: “nami u bëftë për sa kohë nuk jemi në pushtet, por edhe një mungesë e theksuar e sensit të realitetit”.
“I bëjmë thirrje të gjithë forcave politike të krijojnë sa më parë komisionin gjithëpërfshirës të reformës zgjedhore, që në zgjedhjet e ardhshme Shqipëria të shënojë standarde evropiane zgjedhore, duke garantuar barazinë e subjekteve konkurruese dhe barazinë e vlerës së votës së çdo shqiptari”, tha zyrtari i LSI-së.
Ai vuri në dukje më tej se puna për reformën zgjedhore duhet të fillojë pa humbur kohë dhe se periudha aktuale është e mjaftueshme për ta finalizuar atë.
“Po theksojmë sot që të nxjerrim mësime nga e kaluara e hidhur që reforma zgjedhore është bërë me ngut në kufijtë maksimalë kohorë. Ajo duhet të fillojë tani dhe nëse ka vullnet politik është e mundshme që brenda kësaj periudhe që ka mbetur, të realizohen të gjitha ato amendime përkatëse, në mënyrë që të arrihet barazia e konkurrimit për subjektet politike, si dhe natyrisht, të pasqyrohet sa më mirë vota e shqiptarëve duke i dhënën asaj vlerën që meriton”, deklaroi më tej Haxhinasto.