Ekonomia gjermane angazhohet në Greqi

Që nga kjo verë, ministri gjerman i Ekonomisë, Philip Rosler, nga partia liberale FDP, po përpiqet të ngrejë "një iniciativë investimesh dhe ofensivë për rritjen ekonomike në Greqi".
Që kjo është tepër e nevojshme, këtë e tregojnë edhe të dhënat ekonomike nga Greqia. Këtë vit ekonomia greke do të zvogëlohet me së paku 5 për qind, ekspertët llogarisin me një papunësi 17 për qind dhe të ardhurat buxhetore do të vazhdojnë të zbresin – me gjithë rritjen e disa-fishtë të tatimeve.
Ajo që dihet: Me masat e kursimit ekonomia greke nuk mund të rimëkëmbet. Po si mund të futet Greqia në shtegun e rritjes ekonomike?
Sekretari i shtetit në ministrinë gjermane të Ekonomisë, Stefan Kapferer ka besim tek ekspertiza teknike gjermane:
"Kemi rënë dakord që KfW-ja gjermane dhe pala greke të përpilojnë strategjinë e një banke investimesh dhe kemi rënë në ujdi që të shkëmbejmë ekspertë për fushat e ndryshme nga e drejta e kartelit deri tek shkollimi profesional. Ka një spektër të gjerë mundësish për bashkëpunim, që nuk mund të kufizohet vetëm tek niveli politik mes ministrive. Ky është një sinjal për rritje ekonomike."