SHBA kushtëzon palestinezët

SHBA do të ndërpresë të gjitha ndihmat financiare për Autoritetet Palestineze, nëse këta të fundit do të kenë në plan të kërkojnë njohjen si shteti i pavarur nga OKB-ja në shtator.
Konsulli i SHBA-së në Jerusalem, Daniel Rubinstein, i ka përcjellë këtë porosi në emër të administratës së Barack Obamas kryenegociatorit të Palestinës, Saeb Erekat.
SHBA gjithashtu ka paralajmëruar se do të vendosë veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, nëse Palestina dorëzon një kërkesë për njohje si shtet, në kufijtë ekzistues të vitit 1967.
“Në kuadër të hapave të Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme, Kongresi i SHBA-së do marrë masa ndëshkuese, përfshirë edhe shkurtimin e ndihmave” thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Rubinsteinit.
Konsulli amerikan ka thënë se SHBA e sheh kërkesën e palestinezëve si të padobishme dhe se do të ishte më mirë që të arrihet një marrëveshje paqeje me Izraelin.
Megjithatë, Erekat i ka bërë thirrje SHBA-së që të rishikojë pozicionin e saj, duke argumentuar se mbështetja për pavarësinë e Palestinës, do të rrisë mundësitë për një zgjidhje mes dy shteteve në Lindjen e Mesme.
Bashkimi Evropian ende nuk është pozicionuar për këtë çështje, ndërsa disa shtete, përfshirë Spanjën, janë shprehur se do të mbështesin pavarësinë e Palestinës.