Regjistri i kredive, deri tani renditen 214 729 kredi të regjistruara
Regjistrit të Kredive që prej datës 3 janar 2008, që ka filluar funksionimin e deri tani, pas një viti shënon 214 729 kredi të regjistruara, si dhe të dhëna për kredimarrësit, personat e lidhur dhe kolateralet e vëna si garanci për kthimin e kredisë. Regjistri i Kredive është baza elektronike e të dhënave për kredimarrësit e sistemit bankar. Bankat kanë hedhur në regjistër portofolin aktiv të kredive, si dhe ngarkojnë çdo ditë të dhëna për kreditë e reja. Sipas BSH-së, bankat do të ngarkojnë çdo ditë kreditë e reja si dhe do të përditësojnë çdo fundmuaji statusin e shlyerjes së kredive. Regjistri përmban informacione pozitive dhe negative për kredimarrësin dhe këto të dhëna do të ruhen në Regjistër për 5 vjet. Raporti i kredimarrësit që marrin bankat si produkt i Regjistrit përmban informacion mbi shumën e kredisë, shlyerjet e saj, shumat e vonuara, garancitë e vëna për të, të dhëna për linjat e kredisë ku kredimarrësi është person i lidhur, historiku i statusit të kredisë për dy vitet e fundit. Përdorimi i historikut të shlyerjes së kredive nga kredimarrësit do t’u shërbejë bankave në procesin e vendimmarrjes për dhënien ose jo të kredive të reja duke reduktuar rrezikun e dhënies së kredive të këqija. BSH-ja bën të ditur se sistemi informatik ka kapacitete të mjaftueshme për zgjerimin në të ardhmen edhe me përfshirjen në të në një periudhë afatshkurtër të institucioneve të mikrofinancës.
BQE redukton normën e interesit
Banka Qendrore Europiane reduktoi normën e interesit në nivelin më të ulët që është regjistruar ndonjëherë që prej ekzistencës së saj. BQE bëri një ulje prej 0.5 për qind dhe norma e interesit zbriti në 2 për qind. Bordi drejtues e mori vendimin gjatë një mbledhjeje në Frankfurt, në selinë e Bankës Qendrore Europiane. Ky është reduktim i parashikuar, por dhe i katërti brenda tre muajsh, mes sinjaleve se kriza financiare po godet rëndë ekonominë dhe inflacioni rrezikon të bjerë nën tavanin 2 për qind të caktuar nga Banka Qendrore Europiane. Analistët thonë se ulja e normës së interesit do të vazhdojë tani që zyrtarisht eurozona ka hyrë në recesion.
16 Janar 2009