Mbreti Leka I në Kosovë: Durrës-Kukës, arteria e kombit
Familja mbretërore shqiptare vazhdon të mbajë kontakte me Kosovën, shtetin më të ri fqinj me Shqipërinë. Por tashmë që Kosova është e pavarur, familja mbretërore nuk përkrah më teza nacionaliste të bashkimit, por e sheh bashkimin mes dy kombeve shqiptare në një të ardhme evropiane. Mbreti Leka I dhe Princi Leka, prej datës 12 deri më 14 prill 2009, zhvilluan takime dhe vizita në Kosovë për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë. Ai ka theksuar se Pavarësia e Kosovës ka qenë një gëzim i jashtëzakonshëm për të. E ndërkaq anëtarësimin e Shqipërisë në NATO e ka cilësuar një fitore të madhe. Pretendenti për Fronin Mbretëror ka vlerësuar lart rrugën Durrës-Kukës-Prishtinë, që po ndërtohet dhe që sipas Mbretit Leka është arteria e kombit. “Rruga Durrës–Morinë, si arteria kryesore e kombit do të krijojë mundësitë për një zhvillim të madh ekonomik, jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë rajonin”, -tha ai në takimet që pati me krerë të shtetit, Presidentin Dr. Fatmir Sejdiu, Kryeministrin dhe kryetarin e PDK-së, z. Hashim Thaçi. Gjithashtu pretendenti për fronin mbretëror takoi kryetarin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj, si dhe me përfaqësues të komuniteteve fetare. Mbreti Leka I u shpreh se “të dyja vendet duhet të shtojmë lidhjet dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin, si dy gishtat e një dore. Kjo do të na mundësojë të integrohemi në Bashkimin Evropian, që është sfida e ardhshme e dy vendeve tona”. Ndërkaq Leka I ka hedhur një propozim për hapje më të madhe kufitare mes dy vendeve. Sipas tij, “do të ishte e arsyeshme që të lejohej qarkullimi pa pasaporta i kosovarëve për në Shqipëri gjatë gjithë vitit, jo vetëm për sezonin turistik. Për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe ndihmuar fshatrat e qytetet në të dyja anët e kufirit e shohim me vend të shtohen pikat doganore, natyrisht është e kuptueshme që këto zhvillime kërkojnë shpenzime financiare, por rentabiliteti i tyre në të ardhmen do të jetë i lartë”. Gjatë kësaj vizite Leka I dhe Princ Leka bënë vizitë në familjen Rugova dhe vendosën kurora në varrin e Presidentit Rugova, vizituan familjen Jashari dhe vendosën kurora në varrezat e dëshmorëve të familjes Jashari. Komuna e Vitisë i dha Naltmadhërisë së tij Leka I, titullin “Qytetar Nderi”, për kontributet e dhëna për çështjen e Kosovës dhe mbarë shqiptarëve. Ndërsa banorët e fshatit Tërpezë dhe familja Tërpeza i rezervuan Mbretit Leka I një pritje madhështore.