Ekonomia shqiptare paraqet stabilitet, përballë efekteve të krizës globale

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë paraqet në Parlament raportin vjetor për vitin 2008
TIRANE - Ekonomia shqiptare plotëson një sërë premisash për të pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë, primare ndër të cilat është stabiliteti makroekonomik i vendit. Këtë bëri ët ditur dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë prezantimit në Kuvend të raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2008.
Kreu i BSH-së u shpreh se stabiliteti makroekonomik ka amortizuar ndikimin e krizës ekonomike financiare e globale në aktivitetin ekonomik të vendit.
“Ky stabilitet i shprehur në inflacion të ulët të çmimeve të konsumit, qëndrueshmërinë e bilancit të pagesave dhe të borxhit publik, balance të shëndosha të agjentëve ekonomik, luhatje të ulëta të tregut financiar dhe besim të publikut në një zonë financiare, është një kapital i madh i ekonomisë shqiptare”, vijoi Guvernatori.
“Aktiviteti ekonomik në vend është zhvilluar mbi baza të shëndetshme”, deklaroi ai.
Sipas Guvernatorit Fullanit, në kushtet e sfidave aktuale me të cilat përballet ekonomia shqiptare, këto baza duhet të ruhen dhe të forcohen më tej, nëpërmjet hartimit të politikave të duhura ekonomike nga autoritetet përkatëse dhe nëpërmjet rishikimit të planeve të zhvillimit nga të gjithë agjentët ekonomikë.
Duke u ndalur në ecurinë e ekonomisë për vitin 2008, Fullani theksoi se ekonomia botërore shënoi një përkeqësim të vazhdueshëm gjatë harkut kohor të vitit 2008.
“Rritja ekonomike në shkallë botërore arriti në 3.4 për qind gjatë vitit 2008, përkundrejt rritjes mesatare prej 5 për qind gjatë periudhës katërvjeçare paraardhëse”.
Sipas Fullanit, në këtë sfond të trazuar botëror, ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri zhvillimi krahasimisht pozitive.
“Në pritje të konfirmimeve nga statistikat zyrtare, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia e vendit është rritur në linjë me parashikimet e fillimvitit”, vijoi ai.
Sipas tij, kjo rritje ka reflektuar zhvillimin dinamik të disa sektorëve të ekonomisë, të mbështetur nga rritja e konsumit dhe e investimeve në ekonomi, si dhe përmirësimet e vazhdueshme strukturore dhe infrastrukturore të ekonomisë.
“Rritja ekonomike në vend është mbështetur kryesisht në rritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, që mbetet dhe gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Fullani theksoi se konsumi, investimet dhe shpenzimet qeveritare kanë shënuar rritje gjatë vitit 2008. “Aktiviteti ekonomik në vend është financuar kryesisht nga burime të brendshme, vijoi ai, duke shtuar se, në sajë të likuiditetit të tij të lartë gjatë vitit 2008, sistemi bankar shqiptar ka mundur t`i përgjigjet kërkesës për fonde të ekonomisë me rritje të ndërmjetësimit financiar”, u shpreh më tej ai.
Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2008 portofoli i kredisë bankare u rrit me 7.3 pikë përqindjeje të PBB-së gjatë vitit 2008. “Për sa kohë bankat janë të sigurta, ekonomia shqiptare nuk rrezikohet nga kriza globale”, deklaroi midis të tjerave Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani gjatë prezantimit në parlament të raportit për vitin 2008. “Bankat shqiptare do të jenë likuide edhe në vitin 2009, pavarësisht kushteve shtrënguese. Tashmë nuk ka arsye objektive që individët të mbajnë paratë jashtë bankave” u shpreh kreu i Bankës Qendrore.
Ai shtoi se dinamizmi i sektorit privat kërkon kushte afatgjata të favorshme ekonomike dhe financiare, si dhe struktura transparente tregjesh konkurruese, për të çliruar në mënyrë të plotë potencialin e tij të zhvillimit. “Vetëm vendet të cilat kanë ditur të ngrihen e t'i përgjigjen këtyre goditjeve kanë mundur të rriten e të prosperojnë për periudha zhvillimesh afatgjata”, deklaroi ai.