“Teoria e ‘sovranitetit ushqimor’, e formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste në Brazil”

Kryeministri Sali Berisha përuron fillimin e punimeve të rrugës Farkë-Baldushk, pjesë e segmentit Elbasan-Tiranë. Ironizon programin elektoral të Edi Ramës.
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha reagoi dje ndaj programit marksist-leninist që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i serviri publikut pak ditë më parë, si metodë apo ofertë për t’u paraqitur para votuesve shqiptarë gjatë fushatës elektorale.
Kreu i qeverisë Sali Berisha u shpreh se “sovranitetit ushqimor” ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste të Brazil, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar, për t’i dhënë fund varfërisë.
Ironinë e tij ndaj programit të Edi Ramës, Kryeministri Sali Berisha e shprehu gjatë përurimit të fillimit të punimeve të rrugës Farkë-Baldushk, pjesë e segmentit Elbasan-Tiranë. Kjo rrugë do të jetë një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut.
“Ju e dëgjuat programin elektoral të Partisë Socialiste, ku thuhej ‘sovranitet ushqimor’. Në qoftë se Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm. Po ky grup që kishte shpikur doktrinën e ‘sovranitetit ushqimor’ antiglobal, është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmë dajës së Edi Ramës, Sofo Lazeri, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh. Ndaj, në këto zgjedhje le të shkojmë të kthjellët, të bindur se çdo votë majtas është votë pas. Nuk ka nevojë fermeri shqiptar, as për ‘sovranitet ushqimor’, pasi ai prodhon vet ushqime nga më të mirat, nuk ka nevojë as për enciklikat e Edi Ramës”, tha Berisha, duke cituar se para tre vjetësh ai dilte dhe u thoshte që po ju lexoj enciklikat.
“Enciklika është dokumenti që Ati i Shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë, përveç Edi Ramës. Ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes nga terminologji të tilla. Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, interesat tona janë që fëmijët tanë të shkollohen në shkolla moderne, të kemi vaditje për tokën, të kemi ujë të pijshëm. Unë ju garantoj se do të punojmë së bashku për t’i plotësuar të gjitha këto interesa”, garantoi kryeministri Berisha.
Përurimi i fillimit të rrugës
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e nisjes së punimeve për rrugën Farkë- Baldushk, investim i buxhetit të shtetit, me vlerë rreth 500 milionë lekë. Ky segment rrugor ka një gjatësi prej 14 kilometra. Me këtë rrugë, tha kryeministri i jepet një lidhje e re shumë e fuqishme dhe shumë e rëndësishme Tiranës me Shqipërinë juglindore dhe Shqipërinë Jugore, ndërkohë që kjo rrugë do të jetë një nga segmentet më të fuqishme të boshtit të jugut, bosht i cili e afron Tiranën me Sarandën me mbi 110 kilometra shkurtim.
Duke u ndalur në investimet në këtë zonë të Tiranës, kryeministri Berisha u shpreh se në komunën e Baldushkut, në 3 vjet janë investuar 750 milionë lekë, ndërkohë që në 8 vitet e qeverisjes së mëparshme janë investuar gjithsej 12 milionë lekë. Kryeministri tha se së bashku duhet të vijojmë rrugën e nisur të ndryshimit rrënjësor të Shqipërisë.
“Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona. Interesat tona janë rrugët e shtruara, janë prodhimet tona në treg, janë fëmijët tanë të shkolluar në shkolla moderne, janë sistemet e vaditjes për fermerët tanë, uji i pijshëm, etj. Unë ju garantoj se do të punojmë së bashku për t’i plotësuar të gjitha këto interesa. Rruga që ne nisëm sot së bashku, prej 14 kilometrash, ka një vlerë prej 500 milionë lekësh. Unë jam këtu për t’u zotuar se pas kësaj, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk - Papër dhe në këtë mënyrë kompletojmë një aks të ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit”, tha kryeministri.
Berisha u ndal në premtimin e mbajtur të qeverisë për dyfishimin e pensioneve në fshat, duke siguruar se ky është vetëm hapi i parë, pasi hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve të fshatit me pensionet në qytet.
Investimet në zonat rurale
Në katër vite qeverisje të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, është bërë e mundur që zonat rurale në mbarë vendin të pësojnë një ndryshim të ndjeshëm, duke filluar nga përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës, ndërtimi i shkollave dhe ndërtimi i ujësjellës kanalizimeve, janë investuar mbi 1.6 miliard dollarë.
Berisha u shpreh para banorëve se qeveria e ka dëshmuar qartë se braktisja që ju kishte bërë shteti qytetarëve, tashmë ka marrë fund, sepse për ne, tha kryeministri, zhvillimi i qëndrueshëm i zonave tuaja, ngritja e infrastrukturës së njëjtë me lagjet e qyteteve, është objektivi ynë më madhor.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të keni shkolla të njëjta me qytetin, që ju të keni ujësjellës të njëjtë me qytetin, rrugë të asfaltuara të njëjta me qytetin. Do të bëjmë gjithçka që fëmijët tuaj të shkollohen me të njëjtat standarde. Kemi bërë dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur prodhimet tuaja. Kjo është alternative jonë”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit deklaroi se mazhoranca do të vazhdojë në mandatin e ri ndërtimet e nisura në këtë mandat.
Kjo qeveri, tha kryeministri, do të mbështesë çdo projekt të komunave, për zhvillimin e qëndrueshëm të tyre, për urbanizimin e tyre, sikundër do të përfshijmë këtu dhe projektin e ullirit, një nga projektet më të mëdha, më të rëndësishme, ku në këto komuna, Shqipëria ka një nga traditat më të shkëlqyera të ullirit.
“Le të vazhdojmë ndryshimin e madh që kemi shënuar, ta thellojmë më tej atë në mandatin e dytë. Investimet tek ju do të jenë 2 herë më të mëdha se sa kanë qenë deri më sot”, u shpreh Berisha.
Berisha u përsërit apelin qytetarëve
“Pajisja me kartat e identitetit, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme”
TIRANE - Kryeministri Berisha ftoi edhe një herë qytetarët të pajisen me Kartat e Identitetit.
“Dua të bëj një kërkesë miqësore për të gjithë ju, për të gjithë ata që na dëgjojnë; të marrin letërnjoftimet e reja, sepse e meritojmë të kemi një dokument të njëjtë me atë që kanë qytetarët e Gjermanisë, Francës dhe vendeve më të zhvilluara. Duhet të marrim Kartat e Identitetit sepse në këto zgjedhje duhet t’i faktojmë njëri-tjetrit, duhet t’i faktojmë Evropës dhe botës, NATO-s që na dha një besim kaq të madh, se ne do të votojmë si qytetarë të lirë, me dinjitet të plotë”, vijoi Kryeministri.