Ekonomia shqiptare shënon rritje edhe në kohë krize

Kryeministri Sali Berisha pret Sekretarin e Shtetit të Belgjikës Melchior Wathelet
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim sekretarin e Shtetit të Belgjikës, Melchior Wathelet, i shoqëruar nga ambasadori belg në Tiranë, Marc Michielsen.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu Melchior Wathelet, mirënjohjen dhe falënderimet për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.
Wathelet shprehu kënaqësinë për këtë takim dhe falënderoi Kryeministrin për kontributin në marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve e qeverive dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ai vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria si dhe performancën pozitive të ekonomisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, si rezultat i reformave të rëndësishme që ka ndërmarrë qeveria shqiptare, që kanë bërë të mundur që ekonomia shqiptare të shënojë rritje edhe në këtë periudhe krize, në dallim nga trendi i përgjithshëm europian e më gjerë. Në takim u rikonfirmua angazhimi i dy vendeve për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat në të ardhmen.
Haxhinasto – Wathelet: “Zhvillime pozitive në marrëdhëniet shqiptaro-belge”/Marrëdhëniet pozitive mes dy vendeve ishin pjesë e diskutimeve të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë takimit me Melchior Wathelet, Ambasadorin Special të Qeverisë belge, si dhe ambasadorin belg në Tiranë z. Marc Michielsen. Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit të integrimit evropian.
Në këtë kuadër, ai shprehu kënaqësinë për realizimin e vizitës së tij të ardhshme, në Bruksel, si dhe organizimin në kuadër të saj të një forumi të përbashkët biznesi, çka do të ndikojë në ngritjen në një nivel më të lartë të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Lidhur me diskutimin e kandidaturës belge për “International Exhibition 2017”, në Liege, Ministri Haxhinasto shprehu vlerësimin dhe siguroi për mbështetjen e saj.
Wathelet vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në zhvillimin e vendit dhe në përmbushjen e reformave për integrimin në BE. Ai siguroi për vijimësinë e marrëdhënieve shumë të mira dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në të ardhmen, si dhe për mbështetjen e Belgjikës lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në të dyja vendet, si dhe në rajon.