“Mazhoranca, e angazhuar për heqjen e imunitetit”

Kryeministri Sali Berisha pret Cherie Blair, bashkëshorten e ish-kryeministrit britanik
Cherie Blair, e cila po zhvillon një vizitë në Shqipëri, e ftuar në konferencën me temë “Reforma në Gjyqësor si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE”, u prit dje në një takim nga kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen Blair, u shpreh se ajo mirëpritet me dashuri nga të gjithë shqiptarët, të cilët kujtojnë gjithashtu me mirënjohje angazhimin e fortë të bashkëshortit të saj, ish kryeministrit britanik Tony Blair, për çështjen e drejtë të Kosovës dhe pavarësinë e saj. Gjithashtu, Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e saj të njohur në fushën e drejtësisë, si dhe angazhimet përmes fondacionit të saj, në çështje sociale.
Kryeministri Berisha e njohu Blair me reformat themelore që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në hapat e bërë për reformimin e sistemit të drejtësisë, forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, etj.
Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi angazhimin e palëkundur të mazhorancës për heqjen sa më parë të imunitetit për zyrtarët e lartë dhe ata të zgjedhur, si dhe gjyqtarët, si një masë themelore, e cila kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës. Kryeministri Berisha dhe Blair ndanë të njëjtin vlerësim se sistemi gjyqësor është një ndër shtyllat e rëndësishme të një shoqërie, ndaj dhe konsolidimi i tij mbetet një prioritet.