E Diel, 1 Nëntor 2026

Guvernatori Fullani: “Sistemi bankar në Shqipëri mbetet i sigurt”



Ervin Koçi

“Sistemi bankar shqiptar është i sigurt dhe deri tani vihet re një zhvillim i qëndrueshëm i këtij sistemi”. Këtë deklaratë e ka dhënë dje guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, duke folur mbi krizën financiare ndërkombëtare, në një konferencë për shtyp, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Ai tha se BSH-ja po ndjek me vëmendje krizën globale, duke shprehur opinionin e tij se “sistemi bankar shqiptar nuk është i ‘toksikuar’, por një krizë më e zgjatur, edhe mund të ketë efekte në Shqipëri, veçanërisht në eksporte dhe në investimet direkte”. Sipas Fullanit, "stabiliteti makroekonomik në vend është i qëndrueshëm dhe inflacioni është në parametra normalë sipas objektivit të parashikuar nga BSH-ja". Sipas BSH-së, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 zhvillimet e brendshme makroekonomike nuk rrezikuan qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Aktiviteti ekonomik i vendit vlerësohet të jetë zhvilluar në përputhje me programin afatmesëm të zhvillimit ekonomiko-financiar të vendit e për rrjedhim, objektivi për një rritje të ekonomisë në nivelin 6 për qind, duket se do të përmbushet edhe gjatë vitit 2008. Presionet inflacioniste edhe pse kanë qenë të pranishme në 6-mujorin e parë të vitit 2008, janë zbehur konsiderueshëm në periudhën në vijim.

Konkluzioni i BSH-së

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka arritur në përfundimin se: “sistemi bankar shqiptar është i sigurt, i mirëkapitalizuar, fitimprurës dhe likuid”. Sipas guvernatorit Fullani, “të gjithë treguesit e analizuar konfirmojnë për një gjendje të shëndetshme, ndërkohë që asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat siç dihet, kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale”. Gjatë gjithë 6-mujorit të parë, BSH-ja e mbajti të pandryshuar nivelin e normës bazë të interesit prej 6.25 për qind, duke e gjykuar këtë nivel, të përshtatshëm për të ruajtur ekuilibrat makroekonomikë. BSH-ë ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën e likuiditetit të tregut ndërbankar dhe nëpërmjet përdorimit të instrumenteve përkatëse financiare, ka synuar ruajtjen e qëndrueshmërisë në nivelin e likuiditetit dhe të normave të interesit. Gjatë të njëjtës periudhë, situata në tregun e këmbimeve valutore, u paraqit e qëndrueshme. Vlerat e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj euros dhe dollarit amerikan, kanë lëvizur brenda intervaleve historike për periudhën duke reflektuar gjithashtu, situatën në tregjet financiare ndërkombëtare. Në vendet e zhvilluara, politikat makroekonomike ndeshën në vështirësi për të gjetur një ekuilibër midis ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe forcimit të presionit inflacionit.

Transmetimi i krizës

Sipas BSH-së, “ekziston rreziku që përcjellja e vështirësive që ndesh ekonomia e vendeve evropiane dhe më gjerë, të pasqyrohet në vendin tonë, nëpërmjet uljes së fluksit të hyrjeve nga emigrantët, përkeqësimit të deficitit tregtar dhe uljes së investimeve të huaja të drejtpërdrejta”. Megjithatë, shkalla e materializimit të këtij rreziku dhe madhësia e tij, nuk pritet të jenë të rëndësishme sipas guvernatorit të BSH-së. “Me gjithë zhvillimet e fundit në tregjet financiare ndërkombëtare, në sistemin bankar shqiptar nuk evidentohet ndonjë rrezik, i cili ka mundësi të lartë materializimi me pasoja të menjëhershme në veprimtarinë e tij. Sidoqoftë, nevojitet rritja e vigjilencës dhe e kujdesit nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide. Në këtë kuadër, BSH-ë iu ka kërkuar strukturave drejtuese të bankave, të përcaktojnë dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme konkrete, për të ruajtur dhe për të përmirësuar aftësinë për të gjeneruar në vazhdimësi rezultat financiar pozitiv, duke ruajtur cilësinë e aktiveve dhe treguesit e likuiditetit. BSH-ë do t’i orientojë dhe do t’i mbështesë këto veprime, nëpërmjet krijimit të stimujve të nevojshëm rregullativë. Intensifikimi i dialogut me industrinë financiare dhe bashkërendimi i veprimeve mes autoriteteve publike, janë elemente të cilat do t’i shërbejnë ruajtjes së besimit të publikut në sistemin financiar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të veprimtarisë së tij në të ardhmen”, - përfundoi guvernatori Fullani.

Kreditë e dhëna nga bankat private në 7-mujorin e parë të këtij viti

Kërkesa për para në ekonomi është rritur me një ritëm të qëndrueshëm prej mesatarisht 12 për qind gjatë vitit 2008. sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për sektorin privat dominon zgjerimin monetar në ekonomi, ndërkohë që kreditimi i sektorit publik është ende modest, vetëm me rreth 2.5 pikë përqindjeje të rritjes vjetore. Kredia për ekonominë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008 ka vijuar të rritet me 45.5 për qind, duke arritur në 34 për qind ndaj PBB-së. Po sipas BSH-së, gjatë 7 muajve të parë të vitit 2008 kredia në valutë përbën rreth 72 për qind të portofolit të kredisë. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 41 për qind. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, ku spikasin sektorët e tregtisë, të ndërtimit dhe të industrisë, të cilat thithin rreth 77 për qind të këtij klasifikimi. Ndërsa kredia për individë në terma vjetorë është rritur mesatarisht me 51 për qind, për periudhën janar-korrik 2008.

8 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›