Fullani: Qëndrimi i FMN i rëndësishëm
Fabiola Çela
Qëndrimi i misionit të FMN-së është shumë i rëndësishëm për financat shqiptare. Kështu është shprehur dje gjatë një interviste të dhënë për 'Zërin e Amerikës', kreu i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Në intervistën e tij Fullani ka theksuar sërisht se kriza ndërkombëtare financiare nuk është përcjellë në tregun bankar vendas. Madje, sipas tij, për të evituar çdo problem të mundshëm Banka e Shqipërisë i ka forcuar kontrollet e saj ndaj bankave të nivelit të dytë.
FMN-ja
Pyetjes se në cilin kamp pozicionohet në zgjatjen apo jo të programit të FMN-së në Shqipëri, guvernatori i Bankës së Shqipërisë i është përgjigjur: "Unë besoj që nuk ka pasur asnjëherë kampe. Personalisht besoj që Fondi Monetar Ndërkombëtar është certifikuesi më i mirë i bilanceve kombëtare shqiptare, i statistikave tona, është garantuesi i politikave tona makrofinanciare dhe padiskutim është garantuesi më i mirë për ta shoqëruar Shqipërinë drejt portave evropiane".
Bankat
Bankat që operojnë në tregun vendas gëzojnë 'shëndet' të plotë, pasi nuk janë infektuar nga kriza financiare ndërkombëtare. "Sistemi ynë bankar nuk është i përfshirë nga produktet toksike të tregut amerikan, apo të tregjeve të tjera. Sistemi bankar shqiptar është i sigurt, sepse siguria e tij qëndron në parametrat e kapitalit, të likuiditetit dhe fitimit", është shprehur dje guvernatori Fullani. Sipas tij, sistemi bankar shqiptar është fitimprurës dhe parametrat e kredive me probleme janë brenda parametrave të përcaktuara ndërkombëtare. "Ç'është më e rëndësishme është fakti që standardi ynë i supervizionit dhe rrjetat mbrojtëse që ka krijuar Banka e Shqipërisë në lidhje me supërvizionin në dy vitet e fundit, është një garanci e madhe për publikun për të rritur besimin në këto institucione. Rritja e besimit në këto institucione është guri i themelit për një vazhdim të besueshëm e afatgjatë të çdo ekonomie botërore", ka deklaruar ai. Nuk është hera e parë që guvernatori i BSH-së siguron të gjithë shqiptarët për qëndrueshmërinë e sistemit bankar në vend. Pak ditë më parë gjatë një deklarate për mediat ai u shpreh se, "Asnjë prej bankave që operon në Shqipëri nuk ka investuar në asnjë lloj forme në aktivet e intoksikuara, të cilat siç dihet, kanë qenë faktori kryesor që ka rënduar situatën financiare globale". Gjithsesi përballë një situate të tillë BSH-ja ka rekomanduar që të rritet vigjilenca dhe kujdesi nga ana e institucioneve financiare, për të ruajtur ekspozime sa më të ulëta në tregjet financiare ndërkombëtare, si edhe për të siguruar një veprimtari të mirëkapitalizuar dhe likuide.