Ekpertiza për 21 janarin, predha që vrau Ziver Veizin nga garda
Përfundimi i ekspertizës balistike ka hedhur dritë se nga cila armë ka ardhur vdekja e njërit prej demostruesve, Ziver Veizi. Burime nga prokuroria e Tiranës bënë të ditur se nga ekspertiza ka rezultuar se vrasja e njërit prej katër viktimave të demonstratës së 21 janarit, duket të jetë pranë zbardhjes së plotë të saj me prova shkencore.
Prokuroria e Tiranës ka në dorë rezultatet e ekspertizës së predhës së gjetur në trupin e Ziver Veizit, njërit prej personave që gjetën vdekjen në demonstratën e 21 janarit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, në trupin e Ziver Veizit është konstatuar se ka dëmtime të mëdha nga predha çka tregon se ajo është ndeshur me një mjet apo send të fortë, para se të godiste viktimën nga Gjirokastra.
Shenjat e përplasjes, sipas hetuesve, duken qartë në predhën e cila më pas ka përfunduar në trupin e demonstruesit. Burimet nga organi i akuzës, kanë pohuar gjithashtu se predha përputhet me një prej armëve të përdorura ditën e ngjarjes nga efektivat e Gardës së Republikës. Sipas të njëjtave burime mësohet se predha është 9mm që i përket një automatiku të modelit turk MP5, që është përdorur nga Garda e Republikës.
Sipas tyre, pas përgjigjes së analizave balistike të predhës dhe përputhjes së tyre me armën e një prej efektivave të Gardës, tashmë hetimi do të përqendrohet në zbulimin e personit që ka pasur në zotërim automatikun. Ndërkohë që priten edhe analizat e autopsisë për të saktësuar dhe për të dokumentuar këtë vrasje. Gjithsesi prokuroria po vazhdon hetimin e kësaj ngjarjeje edhe me marrje të dëshmive dhe gjetjen e autorëve të vrasjes së katër demostrueseve.