E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Reforma zgjedhore të mos politzohet nga opozita

TIRANË- LSI shprehu sërisht sot domosdoshmërinë për nisjen nga puna të reformës zgjedhore për zgjedhjet vendore të 8 majit. Në një konferencë për shtyp sekretari për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani shprehu shqetësimin për mungesën e vullnetit politik për të kryer një reformë zgjedhore të domosdoshme për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

"Reforma zgjedhore, ashtu siç është parashikuar edhe në raportin e OSBE/ODIHR, është e domosdoshme, për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira të ndershme, demokratike e mbi të gjitha të besueshme", deklaroi Manjani.

Sipas tij, reforma zgjedhore nuk mund të jetë çështja tekash të kryetarëve të partive, dhe as s’ka pse të përdoret prej tyre si mjet për të bërë demagogji apo propagandë për interesa private.

"Është moment që partitë, veçanërisht ato parlamentare, të dëshmojnë seriozitet dhe pjekuri politike për përgatitjen e këtyre zgjedhjeve sipas standardeve më të mira Europiane të kohës", vuri në dukje përfaqësuesi i LSI-së.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›