E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekskluzive / Qato: Zajcev, një kundërshtar i bezdisshëm

Nga Altin B. Kodra
Bashkë-editor i Albania-Sport.com

Tiranë
- Është e pazakontë për të që të flasë përpara ndeshjes, por, këtë radhë, boksieri shqiptar Kreshnik Qato ka bërë një përjashtim dhe ka folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com, duke shpjeguar edhe përgatitjet që ai po bën për ndeshjen e 3 marsit, si dhe për kundërshtarin e tij, rusin Aleksandër Zajcev, të cilin ai e cilësoi si kundërshtoi si "të bezdisshëm", për shkak se është një boksier që mundohet të shfrytëzojë anën psikologjike të boksierit që ka përballë. Në vazhdim, Qato premton se do të japë maksimumin për t'i dhuruar sportdashësve shqiptarë një fitore më 3 mars. "Pas një stërvitjeje të rregullt në palestrën ku unë stërvitem në Londër, së bashku me trajnerët dhe me sponsorizimin e Z. Ylli Ndroqi (i Yldon Sh.p.k.), vendosëm që të shpërngulesha në Lion të Francës, për të bërë një stërvitje ndryshe nga herët e tjera, - rrëfen Qato për Albania-Sport.com, duke komunikuar nga Lioni nëpërmjet celularit. - Po bëhet gati një muaj që jam këtu dhe, që në ditën e dytë, kam filluar të bëj stërvitje dy herë në ditë; paradite bëjmë më shumë sprinte, kurse pasdite përqendrohem më shumë në anën teknike dhe përgatitjen fizike. Ky është programi që trajneri im francez, Nikolas, ka planifikuar për mua dhe që normalisht vjen duke u rritur në ngarkesë." Në fakt, boksier durrsak e ka quajtur "rraskapitëse" ngarkesën e tij në stërvitje, pa harruar të theksojë se, ngandonjëherë, si pasojë e kësaj, ai e ka të vështirë të bëjë gjumë. Ndërkaq, duke e zhvendosur bisedën me Albania-Sport te kundërshtari i tij radhës, Qato thekson se Zajcev nuk është një kundërshtar i vështirë. "Kemi parë disa kaseta të kundërshtarit të radhës dhe mund t'ju them se Aleksandër Zajcev është një boksier shumë teknik dhe prandaj unë po përqendrohem në stërvitje në këtë aspekt", - thotë 29-vjecari, i cili banon bashkë me familjen e tij në Londër. "Ajo që duhet theksuar, është se, përvecse mjaft teknik, Zajcev është një kundërshtar i cili ka aftësisë të provokojë psikologjikisht kundërshtarin, cka e bën atë një "klient të bezdisshëm, - shton ai. - Por, unë jam edhe nga natyra një person i qetë dhe nuk kam ndërmend të bie në grackën psikologjike të kundërshtarit. Ajo që unë mund t'i premtoj shqiptarëve, është ajo që unë bëj gjithmonë në ndeshjet ku marr pjesë, domethënë, do të jap maksimumin tim për të bërë një paraqitje sa më të mirë më 3 mars 2007 dhe shpresoj që kjo të më cojë drejt fitores." Në programin e 3 marsit 2007, në Pallatin e Sportit "Asllan Rusi" në kryeqytet, do të zhvillohen 5 ndeshje, duke filluar nga ora 18:00 pasdite, nga të cilat ajo e shqiptarit Kreshnik Qato me rusin Aleksandër Zajcev është më e rëndësishmja dhe, të të pranishëm atë mbrëmje në Tiranë do të jenë presidenti i EBU-së, Bob Loxhis, dhe Sekretari i Përgjithshëm i EBU-së, Enzo Xhakopone. "E gjithë kjo, ndërthurur me faktin se, kudo ku ka qenë, Qato ka ngritur lart dhe ka mbrojtur me dinjitet flamurin shqiptar, e bëjnë këtë veprimtari të denjë për një mbështetje mbarëkombëtare, sidomos nga bota e biznesit", - thotë biznesmeni i mirënjohur, Ylli Ndroqi, president i kompanisë "Yldon" Sh.p.k, duke folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com. Ndërkaq, promovuesi i Qatos shpreh mirënjohjen për ata që kanë dhënë një ndihmesë të konsiderueshme në organizimin e kësaj veprimtarie. "Misioni ynë është bërë i mundur edhe nga mbështetja e pakufi që ka dhënë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKS) dhe funksionari më i lartë i saj, z. Bujar Leskaj, të cilit, gjej rastin, t'i shpreh falënderimet për ndihmën personale dhe institucionale që i ka dhënë në vazhdim Qatos dhe, vecanërisht, për veprimtarinë e 3 marsit 2007, - thotë Ndroqi. - Pa ndihmën e tij, një veprimtari e këtyre përmasave nuk do të ishte bërë e mundur. Natyrisht, po kaq i dobishëm ka qenë roli i drejtorit të Qendrave Sportive Sha, z. Perikli Dhales, dhe përgjegjësit të Pallatit të Sportit "Asllan Rusi", z. Kushtrim Zace. Të dy këta na kanë ofruar kushte dhe shërbime optimale dhe për këtë i falënderoj jashtë mase, pasi, në aspektin logjistik, bashkëpunimi i tyre është mjaft vendimtar." Biletat Cmimet variojnë nga 1,000, deri në 1,500 lekë të reja Në fakt, megjithëse boksi profesionist është në natyrën e vet një biznes, Z. Ylli Ndroqi thekson se veprimtaria e 3 majit është një eveniment i karakterit kombëtar dhe jo thjesht në mjet për të nxjerrë fitime. "Ne jemi të ndërgjegjshëm për nivelin ekonomik të sportdashësve në Shqipëri dhe, ndryshe nga sportet e tjera dhe nga vendet e tjera, ku biletat e boksit janë mjaft të shtrenjta, kemi vendosur që një veprimtari të tillë, ta hapim për njerëzit e të gjitha shtresave, cka reflektohet edhe në cmimin e biletave që kemi përcaktuar, - thotë ai, duke folur për Albania-Sport.com. - Sic dihet, Pallati i Sportit ka një kapacitet prej 3000 vendesh dhe cmimet e biletave do të variojnë nga 1,000 deri në 1,500 lekë të reja, cka mua më duket mjaft e arsyeshme për një veprimtari që zgjat disa orë." Organizimi "Jo vetëm boks, por edhe show dhe spektakël artistik" Përvec kohëzgjatjes së kësaj veprimtarie dhe 5 ndeshjeve që ajo ofron, Ndroqi sqaron se përpara, midis ndeshjeve dhe në përfundim të tyre, sportdashësit do të jenë në shoqërinë e artistëve dhe këngëtarëve të ndryshëm, që do të ftohen në këtë eveniment. "Përvec të pranishmëve, këtë veprimtari do të kenë mundësi ta ndjekin qindra-mijëra teleshikues shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, nëpërmjet valëve të platformës "DigitAlb", me të cilën, ne si organizatorë, kemi nënshkruar një marrëveshje transmetimi", - thotë Ndroqi, i cili shton se, midis ndeshjeve që do t'i paraprijnë asaj të Qatos, interesant është edhe dueli midis boksierit bullgar, Tontco Tontcev dhe atij francez, Frederik Goset, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Ndërsa në ndeshjet e tjera, për t'i dhënë përkrahje boksit shqiptar, do të marrin pjesë boksierë nga Shqipëria ose nga trevat shqiptare. Curriculum Vitae Detaje personale: Emri: Kreshnik Mbiemri: Qato Vendlindja: Durrës Datëlindja: 13/08/1978 Pesha: 76.2 kg Gjatësia: 1.79 cm Jashtë sportit: Shenja e horoskopit: Luani Koha e lirë: Peshkimi Përkushtimi: Familja Ushqimi i preferuar: Proteina të gjalla

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›