E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Hysenbelliu: “Dëshira ime është që të luaj në Angli”

Është vetëm 14 vjec, por me autoritetin që shfaq në fushën e lojës ka treguar se e meriton shiritin e kapitenit të Olimpikut. Sulmuesi i talentuar Fatmir Hysenbelliu, i cili është një golahsnëuesit më të mirë për skuadrën tiranase dhe në kampionat, ka qenë dje nga më të mirët në fushë në takimin e fundit të luajtur në kompleksin e Kamzës parë syve të drejtorit të Akademisë së Olimpiakosit, Jorgos Amanatidis. Pas ndeshjes ai dha këtë intervistë për "Panorama Sport".
Luajtët ndaj Partizanit, ndërkohë që vëzhgoheshit nga drejtori i Akademisë së Olimpiakosit, Amanatidis. Si u ndjetë?
- Pata shumë emocione, në fushën e lojës, këtë nuk mund ta mohoj. Nuk pata mundësi të tregoj vlerat e mija të vërteta ndaj Partizanit për faktin se skuadra jonë luajti më shumë në mbrojtje dhe nuk i kushtoi shumë rëndësi sulmit. Në këtë mënyrë mbeta disi i izoluar në sulm dhe nuk pata aq shumë topa sa të tregoja vlerat e vërteta. Gjithsesi, bëmë një ndeshje të mirë dhe treguam se kemi një grup me të vërtetë cilësor, edhe pse barazuam 0-0.
Si e vlerësoni skuadrën e Olimpikut të moshës U-15 ku ju bëni pjesë aktualisht?
- Skuadra e Olimpikut është një nga më të mirat në Shqipëri, jo më kot unë kam zgjedhur këtë klub. Së fundmi na janë afruar disa lojtarë të tjerë në skuadër, pasi para pak kohësh kemi pasur disa përcarje në stafin teknik. Si rrjedhojë nga skuadra jonë janë larguar disa lojtarë bashkë me një ish-trajner tonin. Tani jemi rikthyer sic ishim më parë. Olimpiku është një klub që të ofron shumë mundësi, sic është një provë te Olimpiakosi në Athinë.

Cilat janë synimet tuaja me Olimpikun këtë sezon?
- Synimet janë që të fitojmë dy trofe, kupën ashtu si edhe kampionatin në kategorinë e moshës U-15. Mundësitë për të arritur këtë objektiv janë mëse reale në fakt. Aktualisht, jemi në vendin e parë në kampionat dhe jemi në gjendje të ruajmë kryesimin deri në fund. Edhe në kupë, ku luhet me sistem eliminimi direkt, jemi në garë dhe kam shumë besim se do të triumfojmë në fund.
Po për sa i përket objektivave personale, c'mund të na thoni?
- Qëllimi im kryesor është që të arrij të luaj në një kampionat të huaj dhe me një klub të madh. Nuk kam menduar për të luajtur në kombëtaren e moshës sime, pasi mesa kam vënë re duhet të luash në një ekip të huaj që të fitosh një fanellë të kombëtares shqiptare (qesh). Kështu ndodh në Shqipëri. Dëshira ime është që të luaj në Angli, në shtator të këtij viti ose në 2008-n, mund të shkoj për provë në një nga ekipet më të njohura londineze, si Totenhem, Arsenal apo Celsi. S'do të preferoja Greqinë para Anglisë.
Jeni kryegolashënues i skuadrës, sa gola doni të shënoni deri në fund?
- Deri tani kam shënuar 12 gola. Në ndeshjen e fundit shënova 5 gola në fitoren 13-0 që morëm me Olimpikun. Deri tani kam luajtur 13 ndeshje dhe shpresoj të shënoj sa më shumë gola. Dua që të shënoj të paktën 20 gola deri në fund.

F. Kodra

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›