E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspedita nënujore shtrihet në territore të tjera

Ekspedita arkeologjike për njohjen e trashëgimisë nënujore shqiptare do të vazhdojë. Dr. Adrian Anastasi, bashkëdrejtor i ekspeditës së nisur në vitin 2007, është shprehur se bashkëpunimi shqiptaro-amerikan për këtë qëllim do të vazhdojë deri në vitin 2014. Sipas tij, një nga përfundimet më të rëndësishme të deritanishme të kësaj ekspedite, është se brigjet e Ilirisë së jugut "rriheshin" nga një flotë tregtare vendase, e cila në të njëjtën kohë mbronte vektorin ekonomik mes Ilirisë dhe Greqisë së lashtë. Ndërkohë, arkeologu konfirmoi edhe objektivat e ekspeditës për periudhën në vazhdim. Testimi i brigjeve të brendshme dhe të jashtme të kepit të Karaburunit, si dhe të gjireve detare të Gramës, Arushës, Shën Janit, Shën Vasilit etj., si dhe konfirmimi i pranisë së disa sanktuareve antikë dhe mesjetarë, janë synimet e grupit të punës. "Anija e specializuar amerikane "Herkules", e drejtuar nga George Robb dhe drejtori shkencor Jeffrey Royal, në bashkëpunim me specialistët shqiptarë, prof. Neritan Ceka dhe Auron Tare, gjatë viteve 2007 dhe 2008 ka "skanuar" bregdetin jugor nga kepi i Stillos deri në gjirin e Kakomesë. Veç hartës së detajuar nënujore, ku janë fiksuar pikat e mundshme me interes arkeologjik, në këtë zonë janë zbuluar tre relike të anijeve tregtare, të cilat datojnë nga shek. 6-3 p.e.s. Gjithashtu, ai shtoi se ka të dhëna se në zonën nënujore të Triportit ndodhen edhe dy anije të tjera relike, si edhe struktura ndërtimore antike, kampionët e të cilëve po analizohen nga specialistët italianë të Universitetit të Foggias. "Hartimi i planimetrive nënujore të gjetjeve arkeologjike të thellësive, të florës dhe të shikueshmërisë në zonën e Porto Palermos, si dhe zbulimi i tri zonave të ankorimit përbëjnë një hap të rëndësishëm për vazhdimin e kërkimeve nënujore", thekson arkeologu Adrian Anastasi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›