"Udhëtim në Pragë" me dy serenata
"Udhëtim në Pragë" titullohet koncerti klasik me dy serenatat më të njohura të literaturës botërore, që do të çelë sezonin e ri për të rinjtë e talentuar të "Camerata Tirana", në sallën e Akademisë së Arteve, mbrëmjen e 24 janarit. Një udhëtim romantik në Pragë, nën dirigjimin e francezit Jean Michel Ferran, aktualisht drejtues artistik i orkestrës "Camerata Tirana", do të sjellë në skenën e kësaj akademie ndjeshmërinë muzikore të dy majave të romantizmit çek, serenatat për orkestër harqesh të kompozitorit Jozeph Suk dhe Antonin Dvorak. Drejtoresha e shoqatës "Artema", Denata Toçe, organizatore e këtij koncerti, tha se "koncerti ka për qëllim evidentimin e vlerave profesionale të instrumentistëve të rinj të kësaj orkestre, tingujt e të cilëve do të na shoqërojnë gjithë sezonin artistik të këtij viti. Në kalendarin e aktiviteteve për këtë sezon kemi planifikuar dhe disa mbrëmje koncertore me të ftuar specialë, artistë të mëdhenj e solistë të orkestrave më në zë në botë, qofshin këta shqiptarë apo të huaj", theksoi ajo. Drejtuesi artistik i orkestrës "Camerata Tirana", Jean Michel Ferran, ka studiuar në Konservatorin e Toulousës, e më pas në Konservatorin Superior të Parisit, si dhe në Konservatorin Rus (piano). Më pas mbron edhe një tezë në filozofi. Kompozitor, dirigjent, e pianist, ai tashmë është edhe drejtor i konservatorit "Paul Dukas" në Paris (Francë). Kritika e konsideron si "bërës muzike", kompozitor i pasionuar, ndërsa ai e konsideron dhe e trajton muzikën pa asnjë lloj paragjykimi estetik. Interpret tepër kurioz, ai e shtrin repertorin e tij pianistik që nga vepra e shekullit të 16-të, deri në ato të muzikës kontemporane, duke ndarë pasionin dhe ndjeshmërinë e tij muzikale me artistë e kolegë të njohur në botë si: Denis Pascal, Dominique de Williencourt, Didier Henry, Karine Saporta, ansambli Inter Contemporan i Parisit, duke performuar në të gjithë botën, si në Brazil, Japoni, Arabi Saudite, Rusi, Berlin, Holandë, Itali etj.