Eksperienca e vitit të kaluar, ulja e taksës së makinave rriti turistët
Sipas amendimit të ligjit për taksat e qarkullimit vitin e kaluar, emigrantët duhet të paguanin për makinën e tyre gjatë periudhës së qëndrimit në territorin shqiptar 1 euro për çdo ditë të qëndrimit. Kjo pagesë bëhej në doganë në momentin e daljes së emigrantëve nga atdheu. Sipas ndryshimeve që i janë bërë ligjit gjatë periudhës së verës, për qarkullimin e automjeteve në vendin tonë, emigrantët apo çdo i huaj do të paguanin në dalje vetëm 1 euro për 60 ditë të qëndrimit të tyre brenda territorit shqiptar. Kjo u bë për lehtësimin e hyrjes dhe daljes. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bërë më dije se gjatë periudhës së verës së vitit të kaluar, rreth 135 mijë automjete kanë hyrë në vendin tonë. Kështu, llogariten 135 mijë makina emigrantësh, të cilët kanë qëndruar brenda territorit shqiptar për periudhën e pushimeve. Të gjitha automjetet e huaja u përjashtuan verës nga pagesa e taksës së qarkullimit për 60 ditë qëndrimi në vit në territorin e Republikës së Shqipërisë. Sipas ligjit, këto automjete paguan për shtetin shqiptar vetëm 1 euro në çastin e daljes nga territori shqiptar. Gjithsesi, ky vendim hyri në fuqi më 5 gusht të vitit të kaluar duke bërë që efektet lehtësuese të ligjit të mos ndiheshin siç duhej për emigrantët apo turistët e huaj. Sipas të dhënave mësohet se këta turistë kanë vizituar vendin tonë në grupe, duke ardhur përmes shoqërive turistike. Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar është rritur edhe fluksi i vizitorëve apo turistëve, të cilët vijnë në mënyrë individuale, pra të paorganizuar vizitojnë vendin tonë, të cilët gjatë vitit 2007 u llogaritën 373 657 persona. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2006 kanë hyrë në Shqipëri 268 454 persona. Pra, pati një shtim vizitorësh me 105 203 persona.
25 Prill 2008