Malaj: “Tre dështimet e qeverisë në ekonomi”
Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, ka akuzuar qeverinë se ka dështuar të paktën në tre drejtime përsa u përket politikave ekonomike. “Qeveria ka dështuar të zbusë varfërinë në rritje. Ajo ka dështuar të thithë investimet e huaja në ekonominë tonë. Varfëria në rritje dhe dështimi në investime mund të rrezikojnë stabilitetin financiar”, - u shpreh Malaj. Duke folur për çështjen e varfërisë, deputeti socialist tha se “rritja e varfërisë dhe mungesa e skemave të asistencës së drejtpërdrejtë e bën të qarte mungesën e përgjegjësisë së qeverisë dhe dështimin e saj në sfidën e luftës kundër varfërisë, e cila është sot kriza më tronditëse për gjithë qeveritë”. Malaj deklaroi gjithashtu se qeveria “Berisha” ka arritur dështimin historik përsa i përket thithjes së investimeve të huaja. “Qeveria ka dështimin historik në thithjen e investimeve të huaja, gjatë tremujorit të parë ndihmat që ka planifikuar buxheti nga donatorë të ndryshëm janë realizuar vetëm 6%, ndërsa investimet me fonde të huaja edhe pse planifikimi është ulur ndjeshëm janë realizuar vetëm 12.7 %, ose vetëm për tre muajt e parë të vitit janë realizuar më pak rreth 5.7 miliardë lekë, ose rreth 75 milionë dollarë”.
25 Prill 2008