Qeveria planifikon heqjen e disa taksave të shërbimit
Në paketën e investimeve të “Shqipëria një euro” ka disa taksa, që konsiderohen të rëndësishme dhe me kosto të lartë. Këto taksa do të ulen në mënyrë graduale. Taksa për importimin e makinave të përdorura do të ulet deri në 3-4 herë me një kosto prej 600 milionë lekësh. Nga kjo taksë do të përfitojnë, krahas bizneseve, edhe konsumatorët, të cilët duan të importojnë automjete të përdorura. Njëkohësisht do të preket edhe taksa portuale, e cila do të përgjysmohet dhe do të vlejë për anijet që ankorohen në portet shqiptare. Përgjysmim do të ketë edhe taksa e karbonit. Kostoja e karbonit do të jetë 250 milionë për vitin 2007. Është parashikuar që taksa për shërbimet konsullore të përgjysmohet. Kjo taksë do të ketë një kosto prej 700 milionë lekësh dhe paguhej nga të huajt që vijnë në Shqipëri dhe kërkojnë shërbime konsulence. Këto propozime do të hyjnë në fuqi për vitin 2007 dhe janë parashikuar në paketën fiskale për këtë vit. Taksat parashikohen nga specialistët me një efekt të plotë, pasi Buxheti i Shtetit do të hyjë në zbatim në muajin janar dhe jo si çdo vit, që ka hyrë më me vonesë. Taksat e përcaktuara për t’u ulur ose hequr kanë një karakter simbolik dhe janë cilësuar si taksa të vjetra, që duhet të hiqeshin ose të rishikoheshin. Në këtë paketë investimesh është parashikuar që taksa e qarkullimit të automjeteve të huaja të jetë zero, nga një euro që është aktualisht. Kjo taksë përfshin edhe emigrantët që vijnë në vendin tonë dhe paguajnë një euro, për shkak të targave të huaja. Kjo taksë do të ketë një kosto prej 500 milionë lekësh. Njëkohësisht është propozuar që taksa e kalimit me avion nga Shqipëria të bëhet zero nga dhjetë euro, që është në ditët e sotme dhe ka një kosto prej 400 milionë lekësh. Taksa të tjera që do të hiqen janë taksa e fjetjes në hotel, taksa e përpunimit aktiv, taksa e televizionit dhe taksa e arsimit të lartë. Këto taksa do t’i heqin Buxhetit të Shtetit respektivisht: 50 milionë taksa e hotelit, 40 milionë taksa e përpunimit, 150 milionë taksa e televizionit dhe 10 milionë taksa e arsimit të lartë. Janë rreth gjashtë taksa, që cilësohen si simbolike dhe të vjetra që duhet të rishikoheshin prej kohësh. Në totalin e tyre, taksat e kësaj pakete do të kenë një kosto prej 2.85 miliardë lekësh dhe afërsisht 30 milionë dollarë, që do t’i kushtojnë Buxhetit të Shtetit. Këto taksa të rishikuara janë përfshirë në paketën fiskale për vitin e ardhshëm.
25 Prill 2008