E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, hiqet taksa kufitare e makinave me të gjitha vendet

Taksa që paguajnë shqiptarët në kufi për automjetet do të hiqet. Shqipëria nënshkruan konventën ndërkombëtare, përfiton turizmi

Erald Kapri

Çdo shqiptar që udhëton jashtë shtetit me automjetin e tij nuk do të paguajë më taksë në kufirin e shtetit tjetër. Shqipëria ka nënshkruar një konventë ndërkombëtare për taksimin e automjeteve për përdorim vetjak apo për trafikun ndërkombëtar. Kjo marrëveshje heq taksën e automjeteve që paguhet në kufi, mesatarisht 1 euro për çdo ditë qëndrimi. Realiteti do të jetë i ngjashëm edhe për Shqipërinë. Kështu, çdo i huaj që hyn në vendin tonë apo ndonjë automjet për qëllime biznesi, nuk do të paguajë taksën e automjetit për ditë qëndrimi. Kjo konventë pritet t’u vijë në ndihmë edhe emigrantëve shqiptarë, të cilët çdo vit paguajnë taksën në kufi për automjetet e tyre. Një lehtësi është edhe për kompanitë e udhëtimeve, të cilat përjashtohen nga pagesa e taksës së makinave. Qëllimi i kësaj konvente është rigjallërimi i turizmit kryesisht me vendet fqinje, si dhe rritja e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të gjitha vendeve.
Konventa
Sipas konventës, do të përjashtohen nga taksat mjetet motorike që përdoren përkohësisht në një shtet tjetër me të cilin Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje. Kjo dispozitë është përcaktuar në projektligjin e miratuar nga qeveria për aderimin e Shqipërisë në konventën mbi taksimin e automjeteve rrugore për përdorim privat në trafikun ndërkombëtar. Me aderimin e Shqipërisë në këtë konventë, automjetet e regjistruara në territorin e një prej palëve kontraktuese, automjetet e lejuara për të qarkulluar në këtë territor kur qëndrojnë përkohësisht për përdorim privat në territorin e një shteti tjetër aderues në konventë, do të përjashtohen nga taksat dhe pagesat tarifore të vëna për qarkullim ose mbajtjen e automjetit në këtë shtet. Automjetet që përjashtohen nga detyrimi për të paguar taksa janë ato automjete që kanë përmbushur kushtet e përcaktuara në rregulloren doganore në shtetin për pranim të përkohshëm pa pagesë dhe pa detyrime të importit dhe taksa importi. Konventa mbi taksimin e automjeteve rrugore për përdorim privat në trafikun ndërkombëtar ka për qëllim lehtësimin e zhvillimit të turizmit ndërkombëtar nëpërmjet qarkullimit të lirë të mjeteve dhe njerëzve. Aderimi në konventë përjashton nga taksa e qarkullimit automjetet e huaja në përdorim privat në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve me më pak se 8 plus 1 vende.
Taksa
Buxheti i shtetit do të ketë një efekt negativ nga heqja e kësaj takse. Ministria e Financave ka llogaritur që shteti do të humbasë rreth 300 milionë lekë në vit. Gjithsesi, heqja e kësaj takse, e cila është cilësuar absurde, është përkrahur nga grupet e interesit pasi konsiderohet si një lehtësi për zhvillimin e turizmit në vend. Gjithsesi, grupet e interesit kanë kërkuar rritjen e politikave qeveritare për ndërtimin e një industrie turistike shqiptare të mirëfilltë, që në Shqipëri mungon krejtësisht. Vendet konkurrente të rajonit, nga mungesa e saj, përfitojnë të ardhura të mëdha nga pjesa e tregut turistik, që natyrisht i takon vendit tonë. Kusht i domosdoshëm për ndërtimin e industrisë turistike shqiptare është prania e kompanive serioze ndërkombëtare të fushës. Industrialistët e mëdhenj vendas përsërisin shqetësimin për pengesat e pashpjegueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja vjetore e të ardhurave nga turizmi për 2007 vlerësohet në rreth 24 për qind. Kjo rritje është ndikuar kryesisht nga rritja e numrit të shtetasve të huaj dhe të emigrantëve me 62 për qind që kanë vizituar vendin si edhe nga rritja e shpenzimeve ditore. Ndërkohë shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë shtetit kanë arritur në rreth 923 milionë euro. Vëllimi i shpenzimeve për udhëtime, për vitin 2007, vlerësohet rreth 20 për qind më i lartë krahasuar me një vit më parë. Pasojë kjo, vetëm e rritjes së numrit të udhëtarëve me 48 për qind.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›