Vodhën makinën dhe u përplasën me godinën e bankës, zhduken autorët
DURRËS – Disa persona kanë vjedhur një makinë dhe në tentativën për t’u larguar, janë aksidentuar, duke u përplasur me godinë ku ndodhet një bankë, fare pranë Bashkisë së Durrësit. Pas kësaj autorët janë larguar. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi mëngjesin e së mërkurës. Persona ende të paidentifikuar, pasi kanë vjedhur mjetin e parkuar në anë të një rruge, kanë pësuar një aksident, për shkak të shpejtësisë së madhe. Automjeti u përplas me pajisjet e jashtme të kondicionerëve të Bankës Italiane të Zhvillimit BIS, selia e së cilës ndodhet në katin e parë të njërit prej pallateve aty pranë. Sipas burimeve të policisë, si pasojë e përplasjes automjeti u dogj plotësisht së bashku me një nga pajisjet ftohëse të bankës, ndërsa shkaktarët e kësaj ngjarjeje mundën të largohen me shpejtësi. Policia po heton për autorët e kësaj ngjarje.
Dy të rinj plagosen me thikë nga moshatarët e tyre
FIER - Një sherr mes gjashtë të rinjsh në Sheq i Madh, në Fier, përfundoi me plagosjen me thikë të Marius dhe Mariglen Sinës. Burimet zyrtare të policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se një prej autorëve të kësaj ngjarjeje, është shtetasi Redi Allaraj, banues në lagjen Sheq i Madh. 21-vjeçari Allaraj u ndalua pasditen e së martës për “plagosje të rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim”. Sipas policisë, si autorë të kësaj ngjarjeje janë identifikuar dhe Halit Kastrati, Edison Kastrati dhe një qytetar tjetër, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ndaj të cilëve janë nisur procedurat për kalimin nën hetim të prokurorisë së Fierit.
11 Shtator 2008