Zjarri i vënë qëllimisht djeg 5 hektarë me hamullorë
ELBASAN - Flakët e zjarrit kanë përfshirë dje një sipërfaqe toke të mbjellë me hamullorë në fshatin Shalës të zonës së Belshit në Elbasan. Zjarri, i cili mendohet të jetë i qëllimshëm, ka djegur rreth 5 hektarë me hamullorë. Forcat zjarrfikëse, të cilat shkuan në vendngjarje, arritën të shuajnë flakët pas disa orësh. Ky është rasti i dytë brenda 24 orësh, që zjarri përshkon zonën e Shalësit. Vetëm dy net më parë zjarri dogji 10 hektarë me hamullorë, shkurre si edhe një masiv të vogël pyjor. Ndërkohë që policia po heton për identifikimin e autorëve të vënies së zjarreve në këtë zonë. Gjatë kësaj vere janë djegur me qindra hektarë kullota, pemëtore dhe ullishte në Qarkun e Elbasanit, ku ngjarja më e rëndë u regjistrua në Peqin disa ditë më parë.
Arrestohet një i shumëkërkuar për vrasje
VLORË - Policia arrestoi rreth mesditës së djeshme një të shumëkërkuar, i akuzuar për vrasje. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se Koço Seferaj, 34 vjeç, lindur e banues në fshatin Brataj, 40 km larg Vlorës, akuzohet për vrasjen e 38 vjeçarit Viktor Harizaj dhe plagosjen e vëllait 25-vjeçar të viktimës. Vrasja ka ndodhur më 5 janar 2007, në një nga rrugët periferike të Vlorës, ku Seferaj kishte parkuar automjetin e tij përpara një lokali, pronë e dy vëllezërve. Kjo ishte bërë shkak për fillimin e një grindjeje, e cila përfundoi me krismat e pistoletës që Seferaj e mbante pa leje.
11 Shtator 2008