Pensionet ; Informim falas për emigrantët në Itali
Emigrantët shqiptarë në Itali do të informohen falas lidhur me skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore në Shqipëri. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zhvilluar një takim me Presidentin Kombëtar të ACAI-t, Leonardo Maiolica, me qëllim kryerjen e shërbimeve të mbrojtjes, asistencës dhe sigurisë shoqërore, në kuadrin kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu sikurse parashikohet nga ligji italian 152/2001, mbi institutet e mbrojtjes. “Ky takim shënon fillimin e bashkëpunimit mes ACAI-t dhe ISSH-së, për informimin falas të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali lidhur me përfitimet nga skema shqiptare. Ky bashkëpunim është në vijim të bashkëpunimeve me të gjitha institutet e mbrojtjes të së drejtave të emigrantëve që ushtrojnë të drejtat e tyre në territorin italian”, - tha në fillim të takimit drejtoresha e ISSH-së, Evelina Koldashi.
Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, firmosur në qershor të vitit 2008 në Itali, ACAI merr përsipër përgatitjen falas të informacionit për pagesën e kontributeve dhe skemën e sigurimeve në Shqipëri në të dy gjuhët, dhe e shpërndan atë përmes 263 zyrave që ka në Itali. “Ne kemi nisur menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes informimin e emigrantëve lidhur me skemën e kontributeve në shumë prej zyrave tona, ndërsa shumë shpejt do të hapim zyrën e parë në Torino, ku do të punësohet një shqiptar që ka njohuri në fushën e kontributeve”, - tha Maiolica.
Këto marrëveshje, të cilat janë lidhur edhe me patronate të tjera të rëndësishme në Itali, si INAS dhe ENAS, synojnë të garantojnë edhe një herë se çdokush që jeton sot në Itali dhe që ka pasur një historik marrëdhëniesh kontributeve në Shqipëri, do të mund t’i marrë ato.
“Me këtë rast dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri dhe, se përmes plotësimit të viteve të munguara, do t’u bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të pasur një garanci sociale në çdo kohë edhe në vendlindjen e tyre”, - tha Koldashi, duke theksuar se ISSH e sheh si një detyrim t’u përgjigjet kërkesave të kujtdo bashkatdhetari që do të kërkojë njohjen e së kaluarës së tij kontributive dhe kërkesave për vazhdimësinë e këtij historiku.
Në takim ishte i pranishëm edhe Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Piemonte, Giovanni Firera, i cili konfirmoi angazhimin e tij për konkretizimin e marrëveshjeve të arritura mes ISSH-së dhe patronateve italiane.
MSH-ja
Vendi nuk është i përfshirë në epidemi gripale
Ndonëse rastet e paraqitura në spitale me simptoma gripale janë rritur ditët e fundit, strukturat shëndetësore përjashtojnë mundësinë e një epidemie gripi.
Bazuar në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, rreth 9 mijë raste në javë paraqiten në spitale me këto simptoma, që sipas mjekëve, janë të natyrshme në këtë sezon.
"Që të kemi një epidemi, duhet që java pasardhëse të ketë dyfishim të rasteve, krahasuar me atë paraardhëse", sqaroi zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Duke evidentuar faktin se aktualisht ka probleme të sëmundjeve infektive, zv.ministri Ivanaj tha se "sipas të dhënave, kemi rritje të numrit të rasteve të prekura nga infeksionet virale, për të cilat mendojmë se janë viruset e gripit, pasi të dhënat e para flasin për këtë". Ai shtoi se "të dhënat tregojnë se kjo rritje është në të njëjtin trend sikurse dhe vitet e kaluara. Sipas statistikave nga ISHP, jemi në atë që quhet 'pragepidemie', por infeksionet gripale janë sezonale, nuk janë jashtë sezonit".
Zv.ministri Ivanaj garantoi ndërkohë se "strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe po monitorojnë çdo ditë situatën". Megjithatë, zv.ministri i Shëndetësisë e vuri theksin në nevojën për edukimin e pacientëve, si faktor që mund të shmangë problemet lidhur me infeksionet gripale. Sipas tij, ky problem është bërë pjesë edhe e reformës që po ndërmerret në sektorin e shëndetësisë. "Këtë çështje shumë të rëndësishme shpresojmë që ta rregullojmë së shpejti me hapat që po marrim për reformimin e sistemit shëndetësor, ku përfshihet dhe edukimi i pacientëve mbi çështjet e infeksioneve virale, kur duhet shkuar në spital", - tha Ivanaj, duke shtuar se "duhet ta edukojmë siç duhet prindin për kujdesin ndaj fëmijës". Sipas tij, për këtë qëllim, në botë janë organizuar web-site informuese mbi atë që quhet "automjekim".
Fillon rikonstruksioni i Bllokut 51
Infrastruktura e Bllokut 51, i cili kufizohet nga rrugët “Don Bosko”, “Jordan Misja” dhe një segment i Unazës, i është nënshtruar rikonstruksionit, falë një fondi nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës prej 249.667.740 lekësh.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në përurimin e fillimit të punimeve, u shpreh se projekti synon ndryshimin e cilësisë së jetës brenda blloqeve të banimit. “Me këtë investim komuniteti periferik i Bllokut 51 përmes transformimit të infrastrukturës dhe të hapësirave publike, do të ndihen kryeqytetas, jo vetëm kur dalin në rrugë kryesore, por edhe kur kthehen në shtëpitë e tyre, pasi në këto 35 ha do të lindë një tjetër bërthamë e integruar në kryeqytetin e së ardhmes”, - u shpreh Rama.
Blloku 51 karakterizohet kryesisht nga banesa private 2 deri në 3-katëshe, si dhe pallate parafabrikate, të ndërtuara para viteve ‘90. Pjesë e rëndësishme e projektit do të jetë edhe krijimi i hapësirave për parkim, sinjalistika horizontale dhe vertikale. Në projekt është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të ri kanalizimesh. Një ndryshim radikal do të bëhet në sistemin e rrjetit elektrik dhe ndriçimit rrugor.