E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eksperimentim jo vetëm në formë, por dhe në përmbajtje

22/10/2009  Ekspozita e 4 piktorëve nga Maqedonia në Galerinë e Arteve “Eduard Lear”

BERAT - Qyteti i Beratit është një qytet mjaft i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore shqiptare, por vlerat e tij të certifikuara si pasuri botërore e të mbrojtura nga UNESCO tashmë janë njohur e pranuar edhe në plan ndërkombëtar. Kjo trashëgimi është një nga resurset më të rëndësishme të zhvillimit e integrimit të qytetit sepse vlerat e tij të veçanta dhe të rëndësishme të hershme e të tashme e kanë bërë të lakmuar e të vizituar dhe turizmin kulturor një nga mundësitë reale të aktiviteteve të përditshme të banoreve. Në qytetin muze që nga viti 1994 është fakt aktiviteti i Galerisë së Artit “Eduard Lear”, me një emër e fond veprash që nga viti në vit bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm e me një traditë të re të çmimeve që ajo organizon, marrëdhënie që vendos me artistët që prezanton në këtë fonotekë veprash arti. Berati trashëgon një shkollë të mesme artistike që me gjithë situatat e vështira që po kalon, ka një kontribut të rëndësishëm në jetën kulturore të qytetit dhe në komunitetin e artisteve. Janë këto përparësi që japin mundësi për të konceptuar projekte të rëndësishëm, për të bashkëpunuar me galeri e institucione kulturore, artiste bashkëkohore, për organizimin e ekspozitave të përbashkëta e vetjake, konkurseve e çmimeve vjetore për njohjen e vlerave të krijimtarisë artistike bashkëkohore, artisteve, të ballafaqojë dhe integrojë artistët e qytetit dhe krijimtarinë e tyre në lëvizjet bashkëkohore artistike sidomos të krijuesve të rajonit e më gjerë. Në këtë kuadër është dhe ekspozita e katër artisteve nga Maqedonia (Tetova) Ivana Nastenski, Zoran Boshkovski, Behar Ferhati e Ridvan Aliti si pjesë e projekteve të Galerisë “Eduard Lear” në bashkëpunim me shoqatën e Artistëve Figurativë dhe galerinë e qytetit të Tetovës, pohon për gazetën drejtori i galerisë të arteve “Edward Lear”, Agron Polovina, njëkohësisht dhe piktor i talentuar dhe pjesëmarrës në dhjetëra ekspozita kombëtare e ndërkombëtare.

Artistët maqedonas

Ndërsa në këtë rast, janë 4 artistë nga Maqedonia që kanë përzgjedhur për të ekspozuar 70 vepra nga krijimet e tyre më të fundit, kompozime grafike në format të madh, në të cilat shihet përparësia dhe pasuria që i ka siguruar realizimi në teknikë, të cilat i bëjnë të papritura dhe me interes për publikun artdashës të qytetit të Beratit. Kreu i galerisë “Eduard Lear”, Polovina pohon se: “Jo rastësisht ky projekt nis me prezantimin e katër artistëve grafistë, sepse Tetova është një qendër e rëndësishme edhe në planin kulturor në Maqedoni, me universitet e fakultet artesh e sidomos me një galeri të rëndësishme”. Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur artistë që zhvillojnë krijimtarinë e tyre si grafistë, edhe për arsyen e një tradite të rëndësishme të zhvillimit të kësaj gjinie artistike në vendet e ish – Lindjes, veçanërisht në ish-Jugosllavi, por pak të njohura tek ne sidomos në aspektin e realizimeve teknike. Nisur në këndin e vlerësimit te veprat e përzgjedhura nga Zoran Boshkovskit ndihet tendenca për të eksperimentuar jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Ato janë kërkime të një lufte të brendshme shpirtërore me veten, një luftë që ekziston brenda tij midis së mirës dhe të keqes që ja kushton fitores së dashurisë, dritës, e cila simbolizon lirinë e njeriut. Në veprat e realizuara është munduar të paraqes botën e tij personale, botën e gjallë, fuqinë lëvizëse të dashurisë, zbulimin e dritës. “... I inspiruar nga dëshira e brendshme për të përjetuar bukurinë, nisa në një udhëtim me përvojë, pas universit të brendshëm personal. “Lufta e padukshme e së mirës dhe së keqes” “Fitorja e dashurisë”, “I Penduari”, “Lutja”, “Zhvillimi”, janë vepra të lëvizjes dhe mundit tim kundrejt arketipit si dhe kundrejt dritës së paformuar”, – thotë Boshkovski dhe me tej vazhdon ... Materialin dhe botën e dukshme e pashë si simbolikë e padukshme të brendësisë. Kjo është një ngjarje e kundërt e botës së brendshme, ku u shërbeva me elementë të botës së jashtme, të vendosura në hapësira simbolike.

Shpresoj që porosia ime të prek thellë në zemrat e gjithë atyre që e pranojnë dashurinë”, përfundon piktori maqedonas Boshkovski. Ai ka lindur në Tetovë (Maqedoni) në 1970. Është diplomuar në Shkup në 1994, ndërsa ka realizuar shumë ekspozita vetjake e ka marrë pjesë në ekspozita të përbashkëta e bienale të grafikës si dhe ka merituar disa çmime, kombëtare e ndërkombëtare. Po kështu ka realizuar në afresk gjashtë kisha në rajonin e Pollogut, aktualisht punon si mësues i artit figurativ në Tetovë.

Ridvan Haliti ka lindur më 1974 në Kumanovë (Maqedoni). Studimet i ka kryer në Pejë, Tetovë. Ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe bienale të grafikes brenda e jashtë Maqedonisë. Jeton si artist i lirë në Tetovë. Veprat e ekspozuara janë variacione kompozimesh mbi “violinat”, vepra në dimension të madh ku pasuria e mjeteve grafike dhe zotërimi profesional i teknikave të japin një ndjesi të veçantë muzikaliteti. Kompozimet e tij shumë të mëdha grafike të bëjnë përshtypje të menjëhershme për energjinë, ritmin e fortë të raporteve grafike dhe cilësitë teknike që vijnë nga një punë e vazhdueshme në përsosje teknikave të realizimit të fletëve grafike.

Ndërsa Behar Ferhati në kompozimet e tij të realizuara në teknikë të përzier e tërheq së tepërmi vendlindja. Nëpërmjet ciklit “Frytet e vendlindjes” do të tregoj dashurinë e thellë për vendin e tij. Grafikët e tij janë meditime që të shpijnë afër natyrës dhe që transmetojnë tek vizitori timbret e një drame të heshtur që flet përmes formës, ngjyrës, vijës dhe teksturës. “... Inspirimet dhe nxitjet e mia janë produkt i hidhur i realitetit tonë, produkt i shqetësimeve të vazhdueshme, produkt i papërgjegjësive tona ndaj natyrës, të cilën aktualisht e nëpërkëmbim më shumë se kurrë ndonjëherë në të gjitha pikëpamjet e mundshme, duke e vënë kësisoj në pikëpyetje jo vetëm fatin e mbijetesës së fryteve të vendlindjes, po edhe fatin e mbijetesës sonë në kohërat që vijnë...shprehet ai ... në grafikët e mia frytet e pemëve, herë-herë nuk duken dhe aq të freskëta e të lëmueta. Freskinë dhe bukurinë e tyre e cenon ajri i rëndë ballkanik me erë baroti dhe lotsjellësi, në njërën anë, dhe gazrat e makinave që vjellin helme, në anën tjetër. Kjo ndikon në shterimin e lëngjeve të fryteve...”.

Ai, (Ferhati), ka lindur në Tetovë në 1976. Studimet e larta i kreu në Tetovë dhe ato pas universitare në Prishtinë. Ka disa ekspozita vetjake dhe ka marrë pjesë në shumë ekspozita të përbashkëta. Punon si kurator në Galerinë e Arteve të Tetovës.

Ivana Nastenski është një artiste e re dhe entuziaste, e cila gëzimin e jetës e krijon në veprat artistike dhe po të njëjtat dëshiron që t’i ndajë me secilin. Ka një fuqi të mirëfilltë e me sqime arrin të paraqesë qëndrimet dhe ëndrrat e veta. Veprat e Ivanës janë fletë grafika origjinale të mbushura me magjepsi dhe shikime të forta. E impresionuar prej së kaluarës, mitikes, besimit, shkëmbinjve, gurëve, modeleve parahistorike, si burim dhe nxitje për komunikim bashkëkohor internacional. Ajo ka lindur në 1981 në Tetovë. Ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Shkupit në drejtimin e tekstilit e veshjes dhe grafikës, ku më vonë kreu dhe studimet pas universitare. Punon si mësues i artit figurativ në Tetovë.

Ekspozita ngjall interes në qarqet artistike

Ekspozita e këtyre artisteve nga Maqedonia ngjalli shumë interes dhe në ceremoninë e çeljes kishte shumë të pranishëm, artistë, jo vetëm nga artistë jo vetëm nga Berati, por edhe nga qytetet e tjera të ftuar dhe qytetare të thjesht etj, të cilët u treguan mjaft të interesuar për veprat dhe kaluan një kohë të mirë e të kënaqshme, duke komunikuar me artistët që ishin të pranishëm. Duke komunikuar me ta Zoran Boshkovskit thotë se “... për kënaqësinë e kërkimeve të mia gjithmonë fiton e mira me ndihmën e zotit. ... Këto vepra vijon për të pranishmit Boshkovski - ja kushtoj fitores së dashurisë, dritës, e cila simbolizon lirinë e njeriut. Në këtë kontekst - Dëshiroj paqe e miqësi për të gjithë, ndërsa për emocionet e vizitës në Berat shprehet: : “Është hera e parë që vij këtu në Shqipëri e Berat dhe nuk është hera e parë që e them, e thashë shumë herë, por do ta them edhe mijëra herë të tjera. Këtu takova njerëz të mirë që më ofruan shumë dashuri, miqësi e bujari. Nga bisedat e mia këto ditë do të veçoja dashurinë, në duhet të kemi, shumë dashuri mes ton딅..Ndërsa Behar Ferhati i befasuar nga pritja e ngrohtë e publikut dhe bashkëpunimi në Galerinë e Beratit veçon se ... “Berati është një qytet simbol, një qytet i mrekullueshëm dhe shumë i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore. Jam i befasuar nga vlerat e qytetit të Beratit, thotë ai, Bashkëpunimi midis artisteve të dy qyteteve do të vazhdojë me ekspozita edhe në Tetovë. Është një mundësi që na jep arti, duhet të komunikojmë e të flasim me gjuhën e artit”.

Ivana Nastevski u shpreh se ... “është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam e emocionuar e plot mbresa dhe për këtë falënderoj Galerinë “Eduard Lear” të Beratit. Në fakt Berati më ngjason me qytetin e Ohrit, por nuk është vetëm një qytet i bukur dhe i vjetër, por me shumë vlera të trashëgimisë kulturore. Ai është në mbrojtjen e UNESCO-s ka një Galeri të rëndësishme dhe me shumë vlerë”.

IMPRESIONE

Kryetari i Bashkisë Fadil Nasufi

Pjesëmarrës në këtë në përshëndetjen e tij, veçoi se “... janë katër artistë të rëndësishëm e vlera të kulturës në Maqedoni. Ne jemi afër dhe larg njëkohësisht, jemi larg për mbështetjen e këtyre veprimtarive e për shkak të gjeografisë, por jemi afër falë këtyre bashkëpunimeve që kemi nisur. Duhet të jemi mbështetës të veprimtarive të kësaj natyre dhe artistëve, sepse misioni që kryejnë ata është i pazëvendësueshëm dhe qëndron mbi të gjitha mundësitë tjera që japin misionet, qoftë edhe ato diplomatike apo ekonomike.

Drejtori i galerisë “Edward Lear”, piktori Agron Polovina

Ekspozita të tilla në ambientet e galerisë janë hapur shumë, por kjo e sotmja ka një tjetër ndryshim pasi është e katër artisteve nga Maqedonia, të cilit vijnë për herë të parë dhe me një fond veprash arti të ndryshme nga ato të tjerat, gjë të cilën u shpreha edhe më lartë. Për këtë arsye, por edhe për arsye se ende vazhdojnë të vizitohet nga artdashës dhe artistët e qytetit të Beratit, në sallat e Galerisë së Arteve “Eduard Lear” do të qëndrojë e hapur nga data 9 deri në 24 tetor 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›