E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitojnë kredi zero 198 familje të pastreha

22/10/2009  Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave Bruna Treska: 40 familje, gati dokumentacionin

Korçë- Për të pastrehët e kategorisë së parë, të cilat aktualisht jetojnë në shtëpitë e ish-pronarëve do të jepen 198 kredi me interes bankar zero, pasi këto interesa do të mbulohen nga qeveria shqiptare. Përfitimi i kredisë realizohet vetëm pasi plotësohet një dokumentacioni i kërkuar, ku ky dokumentacion i dërgohet për vlerësim përfundimtar Entit Kombëtar të Banesave në Tiranë. Kredia që përfitohet është e vlefshme për blerjen e banesave me kosto të ulët. Aktualisht nga ana e të pastrehëve ka filluar plotësimi dhe dorëzimi i këtij dokumentacioni, ku numri i tyre po rritet nga dita në ditë. Duket se të pastrehët e kategorisë së parë janë të interesuar për përfitimin e kësaj kredie. Informacioni i mësipërm u bë i ditur nga Drejtorja e Entit Kombëtar të Banesave për qarkun e Korçës, Bruna Treska.

Dokumentacioni i kërkuar

Sipas drejtores Treska deri më tani dokumentacioni i kërkuar për këtë qëllim është plotësuar nga 40 familje, ndërsa pritet që kërkesa për përfitimin e kredisë me interes zero të vijë edhe nga familje të tjera. “Plotësimi i dokumentacionit, tha Treska, është mjaft i lehtë, madje ai mund të realizohet brenda një kohe të shkurtër”. Për përfitimin e kësaj kredie nevojitet një certifikatë që vërteten përbërjen familjare të dt 13.12. 1992, ndërsa kërkohet edhe një certifikatë e dytë, e cila vërteton gjendjen aktuale të familjes. Megjithatë, mbetet mjaft i nevojshëm edhe një dokument tjetër, me anë të të cilit vërtetohet se anëtarët e familjes nuk kanë pronë. Ndërsa këto janë kërkesat e vetme për përfitimin e kredisë, në të të njëjtën kohë duhet edhe një vërtetim nga ana e bashkisë, ku kjo e fundit e njeh kërkuesin e kredisë si të pastrehë. Pas plotësimit të këtij dokumentacioni dosja përkatëse i dërgohet Entit Kombëtar të Banesave në Tiranë, e cila jep miratimin përfundimtar.

Interesi i lartë

Sipas Drejtores së Entit Kombëtar të Banesave, dega Korçë, Bruna Treska, interesi i të pastrehëve për kategorinë e parë ka ardhur në rritje. Deri tani janë plotësuar 40 kërkesa, por nga dita në ditë po vijohet puna edhe me kërkesa të tjera. Sigurisht që qytetarët e pastrehë të kësaj kategorie janë të interesuar për të pasur një shtëpi të tyren. Ndërkaq ky projekt po i hap udhën kërkesë së ish- pronarëve për t’u kthyer në banesat e tyre, një kërkesë kjo e përsëritur për vite të tëra me radhë. Aktualisht, tha Treska, Këshilli i Bashkisë Korçë ka miratuar listën e të pastrehëve të kategorisë së parë dhe tashmë kjo listë është depozituar edhe në Entin Kombëtar të Banesave për qarkun e Korçës. Pra, gjithkush që ka emrin në këtë listë mund të aplikojë për përfitimin e kredisë me interesa zero, shpjegoi Treska. Ndërkaq firmat ndërtuese të qarkut Korçë kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me kredimarrësit, me qëllim ndërtimin e banesave të tyre, ku përfituese të jenë të dy palët. Iniciativa e ardhur nga ndërtuesit duket se do të finalizohet me atë pjesë që do të shfrytëzojë këtë marrëveshje me përfitim të ndërsjellë.

Vepror Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›